Imazhet tronditëse të trupave në rrugë, ekzekutimet e dukshme dhe raportet e dhunës seksuale “tregojnë fytyrën e vërtetë të luftës brutale të Rusisë” kundër Ukrainës, ka thënë G7.

Ministrat e Jashtëm të secilit prej vendeve të G7 publikuan një deklaratë të përbashkët pas takimit me homologun e tyre ukrainas, Dmytro Kuleba.

Grupi tha se masakrat në qytetin Bucha dhe zona të tjera ukrainase që kanë qenë nën pushtimin rus, do të renditen si shkelje të rënda të ligjit ndërkombëtar.

G7 paralajmëroi Rusinë kundër çdo “abuzimi të mëtejshëm flagrant” të ligjit, duke i bërë thirrje presidentit Vladimir Putin të lejojë punonjësit humanitarë në zonat e konfliktit për të ofruar ndihma dhe për të evakuuar në mënyrë të sigurt civilët.

Grupi shtoi se ishte gati t’u jepte forcave të armatosura të Ukrainës më shumë para dhe pajisje ushtarake për t’u mbrojtur, raporton BBC.

G7 është një organizatë e shtatë ekonomive më të mëdha në botë, të cilat dominojnë tregtinë globale dhe sistemin financiar ndërkombëtar. Ato janë Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara.

Rusia u bashkua në 1998, duke krijuar G8, por u përjashtua në 2014 pas marrjes së Krimesë nga ana e saj.