cili
Kjo ka qenë padyshim java e saj. Çiljeta Xhilaga ka vendosur të rikthehet më fuqishëm së kurrë në skenën muzikore. Ka zgjedhur kompeticionin ‘Kënga Magjike’, kjo sepse sipas saj është i vetmi festival dinjitoz në këtë vend.

Brenda pak ditëve ajo u vu në qendër të vëmendjes për paraqitjen sensuale në skenë si dhe kënga mori mijëra klikime. Në këtë intervistë Çili rrëfen për këtë baladë, duke u shprehur se i përshtatet më së miri, por nuk është një dedikim personal.
Gjithnjë e hapur edhe për jetën private, këngëtarja flet dhe për marrëdhënien me bashkëshortin e huaj. ‘Mendoj se momentalisht jemi mirë dhe kemi krijuar një farë komoditeti kështu, edhe pse jemi disi larg’, shprehet ajo për lidhjen në distancë që ka me babain e Fernandos. ‘Boo’ e quan ai Çiljetën me përkëdheli, e ndërsa e vetmja kritikë që merr nga bashkëshorti është që të mos pijë kaq shumë cigare.
Çiljeta na tregon se ka në plan ta bëjë Fernandon me një motër, por kjo në një të ardhme jo shumë të largët.

Riktheheni në skenë pas disa vitesh, a ju kishte munguar skena?
Patjetër që po. Më kishin munguar shumë emocionet që një skenë di të përcjellë. Megjithatë mendoj që gjithë këto vite mungesë më kanë shërbyer dhe për mirë. Vërtetova që i kisha munguar publikut dhe më kishin munguar shumë gjithashtu. Këtë gjë e kuptova tek pritja e ngrohtë që mu bë.

Përse zgjodhët këtë moment për t’u rikthyer, përse ‘Këngën Magjike’?
Sepse ‘Kënga Magjike’ është kompeticioni më dinjitoz në Shqipëri. Është padyshim spektakli që të ofron maksimumin. Ky ishte pikërisht moment dhe vendi i duhur.

Vini me një baladë, përse nuk zgjodhët një këngë më shpërthyese, në stilin tuaj?
Kam kuptuar që baladat flenë mirë tek unë. Nga ana tjetër më pëlqen që të vij me një baladë në një festival. Këngët shpërthyese i kam lënë për videoklipet, pasi kam më shumë mundësi edhe në interpretim. Sa i përket këngës më të fundit, mendoj se ishte e duhura për mua.

Shpeshherë thuhet se këngët janë dedikim, a është dhe kënga juaj më e fundit një dedikim personal?
Jo, ky tekst nuk ka asnjë lidhje me jetën time në këtë moment. Shumë shpesh ndodh që nëse këngëtari ka një tekst dashurie publiku e lidh me vetë atë që e këndon. Por jo gjithmonë ndodh kështu. Mua më pëlqeu shumë teksti dhe e përzgjodha. Kënga më rri shumë mirë, por teksti nuk ka lidhje me mua.

Çfarë prisni nga ky festival, mendoni se ka ardhur momenti për një çmim të parë?
Të them të drejtën jam skeptike rreth çmimit të parë. Nuk kam krijuar ndonjë pritshmëri deri më tani. Gjithnjë kam menduar se kur merr një trofe të tillë është dhe fundi i karrierës së një artisti, ndaj dhe se kam kërkuar me ngulm. Natyrisht që nëse ndodh do të isha mëse e lumtur nga jeta, por nuk kam hyrë në këtë garë për të marrë çmimin e parë.

Ajo që vumë re është se jeni në një formë të shkëlqyer fizike, cili është sekreti juaj?
M’u desh shumë kohë që ta merrja veten, por tani jam në formën time optimale. Pas lindjes nuk kisha shumë kohë sepse m’u desh të merresha me djalin, por tani që Fernando u rrit pak jam më e lirë të merrem me veten. Më është dashur shumë punë, por tashmë ndjehem mirë me veten.

Ju keni pranuar vetë se keni bërë ndërhyrje kirurgjikale, po gjoksin a e keni zvogëluar?
Po, unë kam folur në media rreth të vërtetës për operacionin tim plastik. Kam thënë gjithçka duhej thënë. Nuk është e vërtetë që kam zvogëluar gjoksin, kam të njëjtën përmasë që kam pasur gjithnjë. Nëse dukesha më ndryshe në televizion, kjo është falë fustanit që mbaja veshur.

A mendoni se ka këngëtare të reja që përpiqen të ‘kopjojnë’ Çiljetën?
Nuk i kam vënë re faktikisht. Unë shoh shumë këngëtare që kanë një stil ekstravagant në televizion dhe duken shumë mirë. Nëse dikush përpiqet të më imitojë, atëherë më vjen mirë që kam shërbyer si shembull për dikë.
Është shndërruar Fernando në fansin tuaj më të madh, ju ndjek nga ekrani?
Është akoma i vogël për të më dhënë kritika. Megjithatë më ndjek sa herë që unë bëhem pjesë e ekranit.

Po bashkëshorti juaj ju ndjek, a ju dëgjoi tek ‘Kënga Magjike’?
Patjetër që po. Nuk lë performancë timen pa ndjekur. E gjithë familja më pa faktikisht.
A ju tha diçka bashkëshorti juaj pas performancës?
Thjesht më komplimentoi si për këngën ashtu dhe për paraqitjen time në këtë festival.

Mendoni se ka ardhur momenti që të nisni bashkëjetesën me familjen jashtë Shqipërisë, pranë burrit tuaj?
Unë shkëputem shumë shpesh për të qenë sa më pranë. Udhëtoj shpesh tek ai dhe ai vjen shpesh në Shqipëri për të më takuar. Nuk e kam menduar ndonjëherë shkëputjen përfundimtare nga Shqipëria akoma. Mendoj se momentalisht jemi mirë dhe kemi krijuar një farë komoditeti kështu, edhe pse jemi disi larg.

A mendoni se ka ardhur koha ta prezantoni bashkëshortin tuaj me publikun?
Jo. Publiku më njeh mjaftueshëm mua, karrierën time dhe nuk ka pse të ndërhyjë dhe në marrëdhënien time. Nga ana tjetër edhe burri im nuk dëshiron që të bëhet imazh publik. Nuk i pëlqejnë shumë gazetat dhe thashethemet, ndaj dhe ka zgjedhur të jetë në hije gjatë gjithë lidhjes sonë. Nuk besoj se do të më duhet ndonjëherë që ta bëj publike në media një foto tonën.

Është xheloz partneri juaj që ka në krah një femër seksi si ju?
Jo aspak. Lidhja është konsoliduar tashmë dhe e kemi kaluar fazën e xhelozisë. Më mbështet në çdo projekt dhe ide timen.

Si ju thërret ai me përkëdheli?
Më thërret ‘Boo’. Natyrisht që më përkëdhel në anglisht, pasi e ka më të thjeshtë.

Cila është kritika më e ashpër që ai ju bën?
Sa i përket karrierës sime nuk më thotë kurrë asgjë, përveçse është një mbështetje e imja. Më thotë shpesh mos pi kaq shumë cigare.

Qarkullojnë thashetheme se ju jeni ndarë tashmë me partnerin tuaj, si reagoni ndaj këtyre deklaratave?
Pse edhe këtë e kanë thënë tani?! Të them të drejtën nuk më intereson fare se çfarë thuhet për marrëdhënien tonë. Për mua e rëndësishme është që të kem një familje të shëndoshë, se çfarë thuhet jashtë kësaj nuk është aspak punë për mua.

Duket sikur ka kohë që nuk ju intereson më se çfarë flitet për ju…
Në fakt ashtu është. U bënë disa vite që nuk merrem më me thashethemet që vërtiten rreth meje. Nuk mund t’i ndaloj më ato çfarë thuhen dhe ç’është e vërteta as nuk i ndjek më.

Çiljeta si bizmeswomen a mendoni se ja keni dalë?
Kam hequr dorë nga biznesi. Kuptova që nuk isha e prerë për të bërë biznes dhe u tërhoqa. Ishte një eksperiencë për mua, por nuk mund të them se ishte zgjidhja e duhur.

Jeni pasuruar më shumë si artiste, apo si bizneswomen?
Po përderisa kam hequr dorë nga biznesi kjo do të thotë që nga puna ime si artiste kam fituar më shumë.

Tashmë që Fernando është pak më i rritur, a ka ardhur momenti për një motër të vogël?
Patjetër që është në plan dhe një motër për Fernandon po është ende shumë herët. Sapo kam rimarrë format e mia dhe po i shijoj, ashtu siç po shijoj dhe kohën me Fernandon. Në një të ardhme patjetër që po.