Klimë e madhe pasigurie te Chelsea pas vendimit të qeverisë angleze për ngrirjen e aseteve të Roman Abramovich, që ndaloi në këtë mënyrë edhe shitjen e klubit, si dhe bllokimin e merkatos të hyrje-daljeve dhe vendosjen e kufizimeve të tjera. Por trajneri i Blues Thomas Tuchel nuk e humb kurajën dhe e mban lart moralin e skuadrës. “Transferta në Ligën e Kampionëve në Lille? Informacioni im i fundit është se jemi gati të marrim një avion. Përndryshe do të shkojmë me tren, përndryshe me autobus. Ose jam gati të ngas edhe një makinë me shtatë vende. Do ta bëj, shkruajini fjalët e mia: nëse disa vite më parë do të më kishin pyetur se çfarë do të kisha qenë i gatshëm të bëja për një ndeshje të Ligës së Kampionëve, do të përgjigjesha “çdo gjë”.

E në lidhje me të ardhmen e tij, Tuchel nuk ka dyshime dhe shikon përpara: “Nëse do të qëndroj deri në fund të sezonit? Nuk ka dyshim. Ne po ndjekim atë që ndodh dita ditës, sepse mund të ketë ndryshime. Klubi është në shitje dhe ne shpresojmë që kjo gjë të zgjidhet së shpejti për të kuptuar se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”, tha Tuchel. E ndërkohë tifozët londinezë nuk kanë munguar të mbështesin Roman Abramovich me një pankartë që luan me emrin e manjatit rus dhe Perandorisë romake: “The Roman Empire”.