Dukesha e Cambridge, Kate Middleton, është vetë-izoluar dhe ka anuluar angazhimet e saj. Është mësuar se Kate ka takuar së fundmi një person që ka rezultuar pozitiv me Covid-19. Ky lajm është konfirmuar dhe nga zyra e saj ditën e sotme.

“Javën e shkuar Dukesha e Cambridge takoi një person që ka rezultuar më pas pozitiv me Covid-19. Dukesha nuk ka asnjë simptomë, por po ndjek të gjitha udhëzimet përkatëse të qeverisë dhe është vetë izoluar në shtëpi”, ka thënë një zëdhënës i Pallatit Kensington.

Javën e shkuar ajo mori pjesë në disa evente të ndryshme, ku më i rëndësishmi ishte kampionati i tenisit ditën e premte. Ditën e sotme ajo do të shkonte në një event për 73-vjetorin e shërbimit mjekësor britanik së bashku me Princin William, të cilit nuk i është kërkuar të vetë-izolohet.