561

Pasi ka dëgjuar për 6 orë me radhë dëshminë e deputetit Doshi, Prokuroria fton zyrtarisht disa zyrtarë të lartë për të dhënë deklarimet e tyre për rrethanat e hetimit.

Tiranë- Prokuroria fton zyrtarisht disa zyrtarë të lartë për të dhënë deklarimet e tyre për rrethanat e hetimit në lidhje me çështjen “Doshi”.

Në njoftimin për mediat theksohet se “Prokuroria për Krime të Rënda, në vijim të hetimeve të nisura kryesisht për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese, mbetur në tentative”, parashikuar nga neni 79/c – 22 i Kodit Penal, të filluar në bazë të deklarimeve publike të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Tom Doshi, ka marrë gjatë ditës së enjte deklarimet e tij, si edhe materialet mbi të cilat ka mbështetur qëndrimin e shprehur në media”.

Në bazë të deklarimeve të z. Doshi, i cili ka deklaruar para grupit hetimor se ndaj tij dhe ndaj deputetit tjetër të Kuvendit të Shqipërisë, z. Mhill Fufi, ka pasur një tentativë për vrasje, Prokuroria për Krime të Rënda e konsideron të rëndësishme për hetimin e plotë të këtij rasti, marrjen e dëshmive nga ana e disa zyrtarëve dhe shtetasve të tjerë, për të cilët z. Doshi është shprehur se kanë dijeni për hetimin.

Për këtë arsye, Prokuroria për Krime të Rënda fton nesër zyrtarisht për të dhënë deklarimet e tyre lidhur me rrethanat e hetimit, shtetasit:

1.Ilir Meta, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë

2.Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë

3. Saimir Tahiri, Ministër i Brendshëm

4. Mark Frroku, Deputet në Kuvendin e Shqipërisë

5.Mhill Fufi, Deputet në Kuvendin e Shqipërisë

6.Eugen Beçi, ish-Drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda, aktualisht i komanduar drejtues i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan

Po ashtu, në bazë të deklarimeve publike të bëra në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, ditën e sotme të cilat mund të jenë të vlefshme për këtë hetim, Prokuroria për Krime të Rënda fton zyrtarisht të japë dëshminë e tij:

 7.Sali Berisha, Deputet në Kuvendin e Shqipërisë

Në vijim të hetimit, do të ftohen nga Prokuroria për Krime të Rënda për të dhënë deklarimet e tyre edhe persona të tjerë që mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes.

Prokuroria për Krime të Rënda ka regjistruar procedimin penal kryesisht për këtë rast në datë 03.05.2015, menjëherë pas deklarimeve publike të z. Doshi.

“Deri në atë moment, në organin e Prokurorisë nuk ka pasur kallëzim penal, por vetëm disa të dhëna indirekte, të cilat nuk përbënin bazë për fillimin e procedimit penal, në bazë të kerkesave te  Kodit të Procedurës Penale” thuhet ne deklarate.

Krahas marrjes së deklarimeve të zyrtarëve sa më sipër, Prokuroria për Krime të Rënda po vijon me kryerjen e të gjitha veprimeve të nevojshme proceduriale për të sqaruar plotësisht ngjarjen.

Komploti për vrasjen, Tahiri:Ja roli i Berishës, Metës, Llallës sipas skenarit të Tom Doshit 

Deklarata e Ministrit Saimir Tahiri me dt.04.03.2015:

Më 6 shtator 2014 me kërkesë të kryeminsitrit kam takuar Tom Doshin në Durrës në mjediset e zonës rezidenciale. Takimi zgjati jo më shumë se 30 minuta Doshi më tha se kishte zbuluar një komplot për vrasësit e tij, porositësit e krimit të pretenduar.  Doshi më tha se vrasësin e pretenduar e kishte në shtëpinë e tij  në plazhin e Durrësit të cilin më kërkoi edhe ta takoja. Gjatë këtij takimi Doshi deklaroi se personi që kishte marrë përsipër ekzekutimin e tij ishte një shtetas nga Fushë Kruja  i cili kishte marrë porosi nga shtetasi Fatjon Skënderi, ish shofer i kryetarit të PR-së Fatmir Mediu.

Tom Doshi deklaroi po në atë takim se më 1 shtator  2014, 5 ditë para takimit me mua, se Fatjon Skënderit i ishte bërë atentat për ta vrarë në  hyrje të autostradës Tiranë- Durrës por ngjarje pa pasoja.

 Tom Doshi më tregoi se në rrugë private kithe zbuluar se në mjediset e lokal “Viva” tek zona e Bllokut, ish-shoferi i Fatmir Mediut së bashku me Agron Kuliçin ish-drejtor i policisë së shtetit, Agim Ramën, kunat i ish-kryeministrit, Sali Berisha, Eugen Beci drejtues i Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ymer Lala dhe një shtetas me emrin Ylli, sipas verifikimeve bëhet fjalë për shtetasin Ylli Xhaxhollari, pronar i vetë lokalit, kishin organizuar vrasjen e deputetit Tom Doshi.

 Tom Doshi këmbënguli se edhe vetë kryeprokurori Adriatik Llalla ishte i përfshirë në këtë komplot nëpërmjet Eugen Becit.

 “Tom Doshi ishte i bindur se përmes Agron Kuliçit, organizatorët e vrasjes kishin siguruar edhe mbështetjen e kryeprokurorit Adriatik Llalla.

Sikundër ia shpreha kryeministrit  menjëherë pas takimit më është dukur skenar tepër i dyshimtë.

Por theksoj se në prani të kryeministrit dhe deputetit në këtë takim të parë kam parashtruar se e vetmja mënyrë për të ndjekur këtë çështje ishte denoncimi në rrugë ligjore i çështjes nga vetë deputeti Tom  Doshi. Deputeti Doshi ishte absolutisht kundër.Vazhdimisht më tutje nga Tom Doshi kam marrë refuzim për ta kanalizuar shqetësimin e tij në rrugë ligjore.

Në datë 14 Shtator, Tom Doshi kërkon të sjellë tek unë dëshmitarin e tij, pra vrasësin e pretenduar, por duke këmbëngulur në kushtet e mëparshme. Jo në polici, jo me oficerë të policisë, por vetëm në Zyrën e Ministrit të Brendshëm. E kam pritur së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm, Z. Didi, me Drejtorin e Krimeve të Rënda dhe me Drejtorin e Tiranës.  Gjatë këtij rrëfimi, në zyrën e Ministrit të Brendshëm, është edhe momenti i parë kur del emri i Kryetarit të Kuvendit, Z. Ilir Meta.