Në konferencën për mediet, para mbajtjes së seancës gjyqësore në Apel, ku do të paraqitet deputeti Ervin Salianji, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka folur për çështjen “Babale”. Kryedemokrati Berisha tha se Rama do që t’i marrë mandatin e deputetit Ervin Salianjit, me gjyqin që ka ndaj vëllait të ish-ministrit Fatmir Xhafa. Ai, po ashtu, hodhi akuza ndaj ish-drejtuesit të policisë së shtetit Ardi Veliu. Berisha u shpreh se Gerin Xhafa, vëllai i Fatmir Xhafajt, furnizonte tregun Italian me drogë dhe në këtë veprimtari kriminale është i implikuar direkt Ardi Veliu.

“Në këtë akt kriminal janë të implikuar direkt Ardi Veli, famëziu Nushi që është në arrest sot, punonjës të Shërbimit Informativ Kombëtar të cilët njëlloj si të ishin agjentë të sigurimit të Enver Hoxhës se bëhej fjalë për Agron Xhafën shkelmuan mbi detyrën e ligjin, deklaruan se zëri ishte i Agron Hysenit.” Deklaratë të cilën e hodhi poshtë laboratori i analizës së zërit në Britaninë e Madhe. Nisi proces ndaj Ervin Salianjit dhe gazetarit. Po cili ishte gjykatësi që dha në shkallën e parë dënimin? Ai ishte një kriminel i mirëfilltë, një trafikant, një anëtar i bandës së Lushnjës. Ai ishte Artan Gjermeni. Ai është implikuar në trafiqe njerëzore të qytetarëve shqiptarë të inkriminuar për në SHBA. Ai është denoncuar në mënyrë të përsëritur nga këta qytetarë nga SHBA sepse fshinte penalitetet e kriminelëve shqiptarë kundrejt 10 mijë eurove.”, u shpreh Berisha.