Diva e muzikës, Celine Dion po lufton me ngërçet e muskujve dhe kjo ka bërë që të shtyjë koncertet nëpër Evropë.

Lajmin e ka dhënë vetë ajo, duke theksuar se rikuperimi nuk po shkon ashtu siç priste.

“Më vjen keq që duhet ta ndryshojmë edhe një herë turneun tonë të planifikuar në Evropë. Së pari na u desh të shtynim koncertet për shkak të pandemisë, dhe tani duhet të shtyjmë disa për shkak të problemeve të mia shëndetësore. Fatkeqësisht, disa do të më duhet t’i anuloj”, ka thënë ajo në një video të postuar në Instagram.

Ndonëse situata është ende e rëndë, këngëtarja ka deklaruar se ndihet disi më mirë.

“Shërimi është i ngadaltë dhe më frustron. Kam marrë ilaçe, por kam ende ngërçe. Rikuperimi zgjat shumë më shumë nga sa prisja. Më duhet të jem në top formë kur të rikthehem në skenë. Mezi pres kjo do të ndodhë, por kam një rrugë të gjatë për të bërë…”, ka shtuar Celine.

Ndërkohë, turneu do të nisë në shkurt të vitit të ardhshëm. Koncertet zgjasin deri në prill, kur 54-vjeçarja do të bëjë një pushim.