Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur të mos i ndërpresë mandatin kryetarit të Bashkisë Mallakastër, Qerim Ismailajt. Sipas Komisionerit Shtetëror, Ilirjan Celibashi, Ismailaj nuk është në kushtet e ndalimit për shkak të dënimit në mungesë me 3 vite burg në Greqi. Celibashi argumentoi vendimin e tij duke thënë se për një rast dënimi jashtë vendit, KQZ lexon vendimin e prokurorisë, sipas së cilës, Ismailaj për veprën penale të “Rrahjes” në Shqipëri do të ishte dënuar me gjobë, gjë që nuk e çon atë në kushtet e ndalimit të kandidimit.

Në formularin e dekriminalizimit që ka dorëzuar pranë KQZ-së në vitin 2019, Ismailaj nuk e ka treguar këtë dënim, duke iu përgjigjur me “Jo” të gjitha pyetjeve mbi problemet që mund të ketë pasur në të shkuarën me drejtësinë shqiptare apo të vendeve të tjera. Mandati i Ismailajt nuk do të vihej në dyshim nëse ky i fundit do ta deklaronte veprën penale me të cilën ishte dënuar, pasi ajo nuk futet tek ajo kategori që do t’i pengonte kandidimin.