Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një komunikim me gazetarët, i ka bërë thirrje partive politike dhe kandidatëve të tyre që të zhvillojnë një fushatë të qetë, e të mos ushtrojnë presione ndaj qytetarëve për orientimin e votës.

“Kjo thirrje vlen për partitë politike, kandidatët. Çfarë vlen për të korrigjuar, duhet ta bëjmë me qëllim që këto zgjedhje jo vetëm të jenë më të mira se zgjedhjet e shkuara, por në përputhje me standardet. Jemi të gjithë të vëzhguar, në fund të ditës, për secilin nga ne do të ketë gjykim. Përgjegjësit për mospërmbushjen e Kodin Zgjedhor, do e mbajë përgjegjësinë dhe do të paraqitet në sanksionet përkatëse. Bëj thirrje partive politike dhe kandidatëve të bëjnë një fushatë të qetë dhe të lejohen qytetarët të zgjedhin kë të dëshirojnë”, u shpreh Komisioneri Shtetëror.

Me vendimin e ri të Kolegjit Zgjedhor, fletët e votimit në zgjedhjet e 25 prillit, do të identifikojnë kandidatët me numra. Për të mos krijuar konfuzion, Celibashi sqaroi se jashtë qendrave të votimit do të vendosen postera të mëdha, ku shfaqen kandidatët dhe numri i tyre përkatës.

Po ashtu, edhe në dhomën e fshehtësisë do të ketë fletëpalosje ku shfaqen kandidatët dhe numrat e tyre.