Mbrojtësi i Real Madrid, Dani Carvajal gjatë një interviste ka ‘thumbuar’ sulmuesin e Liverpool, Mohamed Salah për të cilin ka thënë se shpreson që nuk do të jetë barrë e madhe të humbasë edhe një finale të dytë në Ligën e Kampionëve ndaj ‘Los Blancos’, transmeton Radio Nacional.


Me fillim nga ora 21:00 të shtunën Liverpool dhe Real Madrid do të takohen në ‘Stade de France’ në kuadër të finales së Ligës së Kampionëve.

 

Në një intervistë mbrojtësi spanjoll, Dani Carvajal ka folur edhe rreth çështjes së Kylian Mbappes i cili pak ditë më parë rinovoi kontratën edhe për tre vite të tjera me Paris Saint-Germain. Ai tha se francezi ka pasur presion të madh për të zgjatur kontratën.

 

”Mbappe ishte nën presion të madh nga Parisi, Sheiku dhe PSG, tifozët e tyre e duan shumë. Nëse jam i sinqertë, kur Real Madrid të dëshiron është shumë e vështirë të thuash jo. Ka trena që kalojnë vetëm një herë,” tha ai.

Ndërsa për deklaratat e egjiptianit i cili së fundmi është duke u shprehur optimist se do të hakmerren për finalen e vitit 2018, 30-vjeçari tha: ”Shpresojmë se nuk do të ishte një barrë e madhe për Salah që të humbasë një finale të dytë në Ligën e Kampionëve kundër Real Madrid.”

Kujtojmë se dy finalistët e këtij edicioni në Ligën e Kampionëve ishin përballur edhe në vitin 2018 në Kiev, aty ku Real Madrid kishte triumfuar me rezultat 3-1 për tu kurorëzuar me titullin e saj të 13’të në kompeticionin më të rëndësishëm në Europë. /radionacional.al