Hakan Calhanoglu nuk ka filtra kur flet për Interin, Simone Inzaghin, Milanin dhe për marrëdhënien me Ibrahimoviçin, sidomos pas mesazh-ngacmimit të suedezit gjatë festimeve për titullin e kuqezinjve. “Ibra nuk është 18 vjeç, është 40 vjeç: Nuk do të bëja gjëra të tilla në atë moshë. Këtë vit praktikisht nuk luajti, nuk kontribuoi në titull. I pëlqen të jetë në qendër të vëmendjes. Nuk më intereson. Ai ka shkruar edhe për mua në librin e tij, duhet t’i shkruante këto gjëra përndryshe do të kishte qenë bosh. Nuk do t’i përgjigjem”, thotë mesfushori turk për Tivibu Spor.

Më pas ai i rikthehet ndryshimit të fanellës verën e kaluar: “Shumë e vështirë, por ishte shansi im për të shkuar në ekipin kampion të Italisë. Më pas fitoi ish-skuadra ime dhe u duk se ishte faji im. Mendoj se dhashë një kontribut të mirë me asist dhe gola, mbështetja e tifozëve më ndihmon shumë: kam luajtur për katër vite me Milanin dhe asnjë tifoz nuk e ka thirrur kurrë emrin tim siç ndodh sa herë që bëj nxemjen para ndeshjeve me Interin”.

Calhanoglu shumë i drejtpërdrejtë kur flet për derbin e fazës së dytë në kampionat: “Interi është shumë më i fortë se Milani, por ajo ndeshje ndryshoi në minutën e 75′, kur ishte 1-0 për ne, kur unë dhe Perisic u zëvendësuam. Trajneri kontribuoi në humbje, edhe ia thashë madje”. Por pastaj mesfushori turk i përmirësoi gjërat me fjalët për Inzaghin: “Një person i mirë, ai e kupton futbollin dhe është shumë afër ekipit. Këmbëngulja e tij ishte e rëndësishme për vendimin tim për të zgjedhur Interin”.