Një ditë pasi TAR shpalli të papranueshme apelimin e paraqitur nga Juventus kundër Calciopoli dhe titullin e dhënë Interit në vitin 2006, ka folur Massimo Moratti. Gjatë një interviste me Corriere della Sera ish-presidenti zikaltër iu kthye sulmit: “Seria A u manipulua dhe ne ishim viktimat. Juve duhej të fitonte dhe nëse nuk fitonte Juventus, radha ishte e Milanit. Turp: sepse forma më e madhe e pandershmërisë është të mashtrosh ndjenjat e njerëzve.” Më keq mes Milan apo Juve? “Juve, pa dyshim”.

Disa orë pas një përpjekjeje tjetër të bardhezinjve për t’i hequr titullin numër 14 zikaltërve, Moratti ngre zërin për ‘kampionatin e Calciopoli’: “Absolutisht po. E di që Juventusi është i zemëruar dhe kjo më shtyn ta pretendoj me bindje më të madhe. Ai titull ishte dëmshpërblimi minimal për vjedhjet që pësuam. Do të meritonim shumë më tepër.”

SHITJA E INTER

Nga e kaluara në të ardhmen e afërt të mundshme, me zërat për shitjen e Interit që, pavarësisht mohimeve të Zhang, po bëhen gjithnjë e më këmbëngulëse: “Familja Zhang më është dukur gjithmonë në mirëbesim. Ata kërkuan të flasin me lojtarët, për t’i motivuar ata. Por sot është e pamundur të mbijetosh për një kohë të gjatë në futboll. Çdo vit humbjet dyfishohen ose pothuajse: 50 milionë, 100 milionë, 150 milionë…”. Si do të përfundojë? “Ndoshta do të vijë një fond amerikan. Por kujdes nga spekulimet. Futbolli nuk është ndërtuar për të fituar para. Amerikanët do të donin ta kthenin në një show. Show-biznes. Por nuk e di nëse do të jetë e mundur ndonjëherë në Itali”.

Së fundi, një batutë për stadiumin e ri: “Nuk jam i bindur. Të rrëzosh San Siro do të ishte krim. Thonë: kështu klubet fitojnë 30 milionë në vit. Por sa janë 30 milionë në krahasim me historinë? Do ta shihni që në në fund askush nuk do të guxojë të prishë tempullin tonë”.