Me Skënderbeun të shpëtuar matematikisht, në javën e fundit diskutimi i përket vetëm Kastriotit dhe Bylis. Të parët në zonën play out e të dytët në atë të rënies ndahen nga një pikë pasi në përplasjen direkte barazuan duke e lënë situatën në duart e një dhurate që mund të vijë nga dy skuadra të tjera, Kukësi e Partizani, me të cilët duhet të përballen në javën e 36 të Superiores.

Kastrioti me shpirt ndër dhëmbë arriti të marrë një pikë në shtëpi me Bylis, duke e lënë skuadrën e Dovedan një pikë pas tyre, përpara javës së fundit që është edhe vendimtare. Nëse krutanët e dinin se do të luanin kundër një skuadre pa objektiv si Kukësi, që pavarësisht deklaratave se do të luante për fitore doli i dorëzuar nga Korca përballë Skënderbeut, Bylis mund të gjejë papritur një favor të lehtë nga dalja nga gara titull e Partizanit. Ballshiotët që e konsideronin një betejë për jetë e vdekje atë me të kuqtë, që mund të ishin në krye në kërkim të titullit, tani mund të gjejnë përballë një skuadër jo edhe aq të vendosur për rezultat.

Në anën tjetër Kastrioti mjafton të fitojë me Kukësin për të siguruar playout matematikisht, por nëse krutanët humbasin dhe Bylis barazon me të kuqtë, duke u barazuar me pikë, në playout shkojnë krutanët falë golit të shënuar në fushën kundërshtare në ndeshjet direkte. Edhe golavarazhi i përgjithshëm është në favor të krutanëve -19, kundër – 21 të ballshiotëve.

Bylis ka fituar në javëne tëtë, 2-1 në Ballsh, por janë mundur në fazën e dytë 1-0 në Kamëz nga Kastrioti, ndërsa në javën e 26 dhe 35 skuadrat janë ndarë në barazim 1-1.