Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka fajësuar drejtpërdrejtë Prokurorinë dhe Gjyqësorin për rastet e dhunës dhe vrasjes së grave.

Kurti bëri përgjegjës këto institucione të drejtësisë, duke shtuar se janë një sistem padrejtësie.

“Prokuroria pasive dhe gjyqësori joefikas janë ndër shkaqet kryesore të këtij realiteti ku vrasja e grave është veçse lajm që përsëritet dhe nuk mbetet aktual mbi dy ditë. Sistemi i padrejtësisë që reagon me shpejtësi e efikasitet kur bëhet fjalë për përfitimin e tyre individual, nuk i shërben këtij shteti dhe kësaj shoqërie. Mungesa e profesionalizmit që shpërfaqet në vendime të anuara e të motivuara, vonesa të paarsyetuara për shkak të mungesës së mekanizmave të llogaridhënies, politizim i sistemit gjyqësor që u bë haptazi nga qeveritë e kaluara, prodhojnë viktima; prodhojnë dhunues; prodhojnë abuzues; dhe përçojnë mesazhin se gjithçka tjetër, përfshirë vënien e drejtësisë, vjen në trajtim pas ngopjes dhe përmbushjes së interesave personale”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka deklaruar se pengesat në sistemin e drejtësisë, nuk do t’i ndalin përpjekjet për evitimin rasteve të dhunës ndaj gruas.

“Asnjë nga këto pengesa nuk do të na e ndalë hovin tonë për t’u siguruar që nuk do të ketë as edhe një më shumë. Asnjë mos veprim nuk do të kalojë i pandëshkuar. Dua që këtë fjali ta dëgjojnë dhe ta kuptojnë mirë gjithë, ata që kërcënojnë e abuzojnë me gratë e tyre, ata që këto veprime i justifikojnë, dhe ata që nuk i trajtojnë siç duhet apo i harrojnë mbi arsyetimin e punëve të grumbulluara. As edhe një më shumë”, tha Kurti në takimin e Këshilli për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, i cili është mbajtur sot pasdite me ftesë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu.