Fitore ndaj Liverpool dhe pak qetësi e siguruar te Manchester United, ku megjithatë vëmendja ndaj Cristiano Ronaldos dhe të ardhmes së tij është ende e lartë. Portugezi doli në fushë vetëm në minutat e fundit të ndeshjes së Premier League ndaj Reds, duke konfirmuar një fillim sezoni me shumë pikëpyetje. Për kolegun dhe bashkatdhetarin ka folur Bruno Fernandes i cili, siç raporton Mirror, duke cituar Eleven Sports Portugal, nuk ka zbuluar shumë mbi fatin e ish-sulmuesit të Juventus, por vetëm ka shtuar misterin.

“Ka shumë spekulime, por nuk ka njeri më të përshtatshëm se vetë Cristiano që të flasë për këtë. Unë mund të di një ose dy gjëra, por nuk do të jem ai që do t’ju them,” tha Bruno Fernandes. “Cristiano është i qetë. Ai ka punuar mirë këtë javë dhe e ka bërë punën e tij. E ka bërë dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë. Për momentin ai është lojtar i United. Nuk e di nëse do të largohet apo nuk do të largohet. Siç tha ai do të flasë së shpejti dhe do të ketë kohë për të dëgjuar fjalët e tij dhe atë që ai ka për të thënë. Unë mendoj se askush nuk ka thënë apo bërë diçka që të tregojë se nuk do Cristianon në ekip. Mendoj se ai mund të vazhdojë në një nivel të lartë dhe të shënojë shumë gola për ne. Por është vendimi i tij. Ne duhet të respektojmë atë që ai dëshiron të bëjë, çfarëdo që ai dëshiron të bëjë. Nëse ai qëndron, ne do të jemi të lumtur; nëse ai largohet sepse e mendon se është më mirë për të, unë personalisht do të jem i lumtur për të. Më e rëndësishmja është që ai të jetë mirë dhe të luajë në nivelin më të lartë për ta bërë vendin tonë krenar”.