“Bëhet e vështirë të luash me këta, se nuk kalojnë mesfushën dhe të presin në kundërsulm. Gjeorgjia është shumë solide dhe e fortë, e njohim, kërkuam në pjesën e parë, në këtë ndeshje nëse bën gol hapen, përndryshe të mbyllin çdo hapësirë dhe bëhet e vështirë. Pastaj kur të gjithë mendojnë se të dielën kanë ndeshje në kampionat, nuk kanë agresivitet për të futur këmbën”. Edoardo Reja nuk e ka fshehur se priste shumë më tepër nga lojtarët e tij, për të fituar një miqësore me Gjeorgjinë që me kalimin e minutave u bë më e vështirë, pikërisht për faktin e mos zhbllokimit të rezultatit, të fiksuar në 0-0. Tekniku kritikoi sjelljen difensive të kundërshtarit, por nuk harroi të thumbonte edhe të tijtë, që e kishin mendjen, sipas italianit, të e diela e kampionatit me klubet e tyre.

Tekniku ka shpjeguar domosdoshmërinë e ndryshimeve, ndërsa ka vlerësuar performancën e Asllanit: “Kur bëhen miqësore duhet të bësh rotacione më të gjithë se me 3 ditë nuk ka stimuj. Kur luan me Spanjën, motivimi është ndryshe. Por impenjimi ishte, nuk ia dolëm të zhbllokonim, kishte një rast Çekiçi, krijuam diçka, por pak. Mirë edhe kështu, kemi bërë miqësore, kemi parë që Asllani ka cilësi dhe perspektivë – shpjegoi Reja, duke u ndalur në argumentin Broja, i zëvendësuar pas pjesës së parë -. “Në pushim folëm se Broja kishte probleme në kavilje dhe nuk ishte 100%. Bëri një pjesë dhe e zëvendësova që të mos kishe probleme. Ai ka dritën dhe pastaj fiket, është me shkëputje. Por kur ndizet, ne e njohim karakteristikën e tij, se nuk e ndal askush. Pastaj në ndeshje të tillë ai luan, por nuk ka atë vendosmëri, atë ngarkesë emocionale që të shprehë të gjithë potencialin e tij”, përfundoi Reja.