Sapo është mbyllur kampionati, vëmendja është përqendruar menjëherë te Kombëtarja. Qershori pothuaj ka mbërritur e bashkë me të afrojnë edhe tre ndeshjet e kuqezinjve, për të cilat tekniku Edoardo Reja ka përzgjedhur 26 lojtarë. Italiani ka zyrtarizuar tashmë edhe listën me emrat e preferuarve të tij, për të përballuar këto tre sfida, ku nuk ka ndryshime të mëdha dhe janë thirrur pjesa më e madhe e atyre lojtarëve që kanë qenë edhe në grumbullimin e marsit. Janë dy ndeshje të Ligës së Kombeve që luhen në muajin qershor, ato ndaj ndaj Islandës në transfertë më 6 qershor dhe ndaj Izraelit në shtëpi më 10 qershor dhe një miqësore me Estoninë në stadiumin “Air Albania” më 13 qershor. Sigurisht për italianin dy ndeshjet e para të turnet janë shumë të rëndësishme, sidomos pas përjashtimit të Rusisë dhe është një rrugë e shkurtër drejt Europianit. “Ndeshjet e Ligës së Kombeve janë shumë të rëndësishme për ne, për Shqipërinë. Duhet t’i fitojmë me çdo kusht – tha tekniku i Kombëtares Edoardo Reja në konferencën për shtyp -. Sigurisht, rezultatet janë të rëndësishme për objektivin që ne kemi. Në ndeshjet e muajit mars skuadra ishte në gjendje shumë të mirë dhe bëmë dy ndeshje miqësore me paraqitje të një niveli shumë të lartë dhe duhet të vazhdojmë kështu, duhet të bëjmë të njejtat paraqitje dhe synimi ynë është që duhet të fitojmë grupin”.

Ajo që bie në sy është lënia jashtë listës së parë e Thomas Strakoshës, që është një ndër 9 lojtarët në pritje, pikërisht kur portieri është kthyer titullar me Lazion. Jashtë ka mbetur edhe Rei Manaj, ndërsa rikthehen pas dëmtimeve mbrojtësi Kastriot Dermaku dhe mesfushori Nedim Bajrami, ndërkohë që në sulm i është besuar edhe njëherë Seferit, pas sezoni pozitiv me Tiranën. “Sa i përket listës, të gjithë lojtarët që kanë qenë në grumbullimet e mëparshme dhe që mungojnë në këtë listë, të gjithë kanë probleme fizike, duke nisur nga Manaj – shpjegoi tekniku italian -. Unë kam folur me të gjithë lojtarët, Manaj ka një problem në shpatull, e njejta gjë me Brojën që ka rezultuar pozitiv me Covid dhe ka pasur simptomat e zakonshme. Shpresojmë ta kemi me ndeshjen me Izraelin, po e ndjekim me kujdes dhe urojmë të shërohet sa më parë. E njejta gjë për Laçin dhe Baren. Laçi është operuar një ditë më parë, kam biseduar me të. Bare ju e dini tashmë që është prej disa javësh larg fushave dhe nuk mund të luajë”. “Ndërsa, sa i përket Strakoshës, ka një situatë që ju e dini në aspektin e merkatos. Ai është duke kërkuar një klub të ri tashmë. Kemi biseduar dhe më ka kërkuar leje që të mos jetë në këto dy ndeshje, sa të zgjedhë ekipin e së ardhmes. Normalisht që unë e kam pranuar dhe shpresoj shumë të ketë mundësi të zgjedhë një klub të mirë, nuk dua ta komplikoj dhe është në listën e pritjes”.

Në listën e pritjes edhe 9 lojtarëve, duke qenë se kalendari është mjaft i ngjeshur dhe mund të ketë probleme fizike për shkak të ngarkesës së madhe fizike, ndërsa disa nga lojtarët mbërrijnë që sot në grumbullimin e përfaqësueses në kompleksin Tropikal në Durrës. “Unë po i ndjek të gjithë lojtarët e rinj, edhe ata që janë në moshë shumë të re. Kemi shumë lojtarë të tillë dhe unë dua që t’i kem në fokus, nuk dua të nënvlerësoj asnjë, t’i jap të gjithëve mundësinë, siç është rasti i Asllanit që është datëlindja 2002 dhe ka bërë një sezon shumë të mire dhe ne i dhamë mundësinë të tregonte vlerat e tij edhe në Kombëtare, ndërkohë që është një ndër njerëzit më të përfolur në merkaton e futbollit në Itali. Është mire kur kemi shumë të rinj që stërviten me grupin dhe mësohen, ndërkohë që ne i japim mundësinë që të shohim vlerat dhe potencialin e tyre”, përfundoi Reja.