Gjysma e kompanive britanike që eksportojnë drejt Bashkimit Europian po vuajnë nga rregullat e reja tregtare post-Brexit, theksoi sot Dhoma Britanike e Tregtisë, që kërkon ndihmën e qeverisë.

“Studimi tregon se 49% e eksportuesve kanë pasur vështirësi të përshtaten me daljen nga tregu unik që prej 1 janarit, që ka shkaktuar komplikacione administrative”, sipas komunikatës.

Pjesa madje rritet në 51% për kompanitë prodhuese që varen nga tregtia me BE-në. Dhoma Britanike e Tregtisë ka pyetur 1 000 kompani nga 18 deri më 31 janar, duke përfshirë 470 eksportues të mallrave dhe shërbimeve.

“Aktiviteti i biznesit dhe perspektivat e Britanisë së Madhe për një rimëkëmbje solide ekonomike, po ndikohen nga ndryshimet në kufi”, thekson Adam Marshall, drejtori menaxhues i Dhomës Britanike të Tregtisë. Britania e Madhe dhe BE kanë arritur një marrëveshje të tregtisë së lirë, e cila heq tarifat, por që nuk ofron të njëjtat avantazhe si tregu i vetëm.

“Kjo marrëveshje e arritur në prag të Krishtlindjes i la kompanitë në errësirë ​​deri në momentin e fundit, gjë që i pengoi ata të përgatiteshin”, sipas Marshall./ATSH