Qeveria ka deklaruar se në vitin 2020 pati një borxh publik prej 77.9 për qind duke qëndruar brenda kornizës që parashikonte vetë por për Kontrollin e Lartë të Shtetit kjo shifër është e nënvlerësuar. Kjo lidhet me faktin që në shifrën e borxhit nuk përfshihet pjesa e detyrimeve të prapambetura. Sipas KLSH akumulimi i këtyre  detyrimeve përbën një problematikë për sistemin buxhetor, dhe me qëllim evidentimin, monitorimin dhe shlyerjen e tyre është kërkuar vazhdimisht një angazhim maksimal i MFE dhe institucioneve buxhetore.

“Megjithatë, aktualisht konstatohet se ndodhemi në një situatë ku këto detyrime janë në rritje të vazhdueshme. Stoku i detyrimeve të prapambetura përbëhet nga detyrimet financiare të transaksioneve të shpenzimeve të njësive shpenzuese së qeverisjes së përgjithshme që rezultojnë të papaguara 60 ditë kalendarike mbi datën e faturës së operatorit ekonomik.

Këto detyrime nuk përllogariten dhe nuk përfshihen si vlerë në raportet dhe statistikat e borxhit publik , duke e nënvlerësuar këtë të fundit. KLSH vlerëson se stoku i borxhit publik të raportuar për vitin 2020 paraqitet i nënvlerësuar bazuar në respektimin e kërkesave ligjore për raportimin e detyrimeve të prapambetura dhe në respektim të standardeve ndërkombëtare të raportimit financiar.

Në këtë mënyrë, mosfinancimi i detyrimeve të prapambetura nënvlerëson stokun e borxhit të marrë për financimin e shpenzimeve të padeklaruara” thuhet në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit për zbatimin e buxhetit të vitit 2020.

Ky dokument vlerëson se detyrimet e prapambetura të njësive të vetëqeverisjes vendore dhe të njësive të qeverisjes së përgjithshme qendrore (pra pa përfshirë detyrimet e stokut të rimbursimit të TVSH-së) sipas Drejtorisë së Thesarit në MFE deri në fund të vitit 2020 paraqiten në shumën 14,316,778 mijë lekë.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka raportuar se borxhi publik në raport ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto(PBB), të vitit 2020 ka rezultuar në nivelin 77.9% në reference të PBB – 1,572 miliard lekë nga 66.3% në vitin 2019.

“Në fund të vitit 2020, Stoku i borxhit arrin në 1,224,470 milion lekë me një rritje në rreth 111.8 miliard lekë ose rreth 7% më shumë në krahasim me vitin 2019 duke përfshirë efektin e rivlerësimit të stokut të borxhit nga kursi i këmbimit” vlerësoi KLSH./ Monitor