Seanca e sotme plenare në Kuvend ka nisur me debate të forta që në hyrje kur kreu i grupit parlamentar në Partinë Demokratike Alfred Rushaj kërkoi që të ndryshohet rendi i ditës dhe si pikë e parë e diskutimit të flitet për helmimin e qytetarëve nga uji në Krujë. Kjo kërkesë është shpërfillur ndërsa kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla u ka kërkuar deputetëve të opozitës që nga nesër të depozitojnë kërkesën për interpelancë me ministren e Shëndetësisë ose të Transportit dhe në seancën e ardhshme të diskutohet ngjarja.

Ndërkohë në interpelancën e zv.kryeministrit Arben Ahmetaj, të kërkuar nga deputeti demokrat, Ferdinand Xhaferaj, lidhur me procesin e rindërtimit ka ndërhyrë edhe kryeministri Edi Rama, cili i është përgjigjur kritikave të deputetit Xhaferraj sa i përket akuzave për tërmetin se qeveria përfitoi nga fatkeqësia për të rrafshuar sheshet. Nga foltorja e Kuvendit, Rama u shpreh se deri në datën 26 nëntor, numri i familjeve që do të futen në shtëpi të re do të vazhdojë të rritet.

Kreu i qeverisë në vijim ka ironizuar Xhaferrajn duke thënë  se ai ai me siguri ka qenë i zënë duke përmirësuar cilësinë e diellit, dhe se pas tërmetit ndodhi edhe një pandemi e cila gjunjëzoi botën.

 “U ndjeva i detyruar të ndërhyj sepse realisht çdo njeri ka të drejtë të gabojë, të këmbëngulësh në gabim është djallëzore. E ngritët me furi një uturi shpifjesh dhe akuzash dhe bëtë edhe një gjest digjital këtu, me siguri keni qenë i zënë për të përmirësuar cilësinë e diellit dhe se keni vënë re që mes angazhimeve për të pasojat e tërmetit dhe afateve të tërmetit ka ndodhur diçka që ka tronditur gjithë botën, zoti Xhaferri, pandemia. Ju kujtoj se kanë qenë muaj të tërë në të cilën kantierët janë bllokuar edhe afatet do të shtyheshin. Ajo që më shqetëson më shumë nuk është ky aspekt, mbi çfarë baze i ngrini këta akuza dhe flisni për babëzi. Keni ndonjë shifër. Shkollat kanë standarde , kanë kritere, shkollat kanë preventiva, janë të zhvilluara si proces ndërtimi me gara.Garat kanë dosje dhe mbi gjithë këto fakte mund të bëhen edhe hulumtime dhe pastaj mund të nxirren konkluzione profesionale jo si mjek popullor, apo si akrobat popullor cirku. Siç ju tha dhe zv.kryeministri shkollat janë aty krah për krah me shkollat që keni ndërtuar ju, dhe kontrasti është si e sotmja me mesjetën kur vjen fjala tek infrastruktura e tyre. Duhen fakte dhe argumente. Po na thua që qenka fshehur sheshe për të fshehur gjurmët. Të gjitha godinat kanë historikun e tyre dhe provat i ka prokuroria. Sytë u janë imunizuar prej shumë vitesh nga plehrat e shëmtia. Ndryshe nuk do të ishit krenare pa kthim për të gjithë masakrën urbane që kemi promovuar si mrekulli të botës. Kur ju qeverisnit duhet me dalë me duart në hundën që mos të marrësh erë. Këtu nuk kemi se çfarë diskutojmë s ekemi një konflikt estetik. Numri i familjeve që sot gëzojnë shtëpinë është i madh dhe do të rritet në javën e fundit të këtij muaji. Ju ftoj të bashkoheni në hapjen e dyerve të shtëpive për mijëra familje deri në datën 26 nëntor që bëhen dy vite nga tërmeti. Asnjë familje që do të kthehet në shtëpi, nuk është sot dhe nuk do të jetë nesër në shtëpinë e re më keq, do jetë më mirë seç ishte. Gjithë ajo krizë është kthyer në një mundësi më të mirë.”- tha Rama.