files_2
Deputeti socialist Ben Blushi është i pari politikan shqiptar i Shipërisë që shkon në Kumanovë, pas aksionit policor me 22 viktima. Blushi ka takuar disa banorë në lagjen e “Trimave”, e cila ishte arena e përleshjes së policisë maqedonase dhe shqiptarëve.

“Ajo që ndodhi në Kumanovë është e frikshme. Maqedonia sot ka një problem delikat me demokracinë e vet. Nuk është një shtet demokratik, por autokratike. Rasti i Kumanovës dëshmoi se shqiptarët kanë një krizë përfaqësimi në raport me qeverinë që e drejtojnë por dhe tek partitë shqiptare. Ne s’mund tu themi se kujt duhet ti besojnë por si shteti dhe si parlament duhet të mbështesim demokratët mes shqiptarëve të Maqedonisë. Duhet të mbështesim demokratët ndër shqiptarët e Maqedonisë. Qëllimi i vizitës ishte të shikoja gjendjen e civilëve të pafajshëm të goditur nga një shtet i pabesë. Iu kanë cënuar pronat dhe dinjitetin njerëzor. Iu kanë cënuar pabesisht dhe padrejtësisht. Kur shteti është i pabesë, ky është fundi i tij”, tha Blushi.

Deputeti socialist pas ngjarjeve në Kumanovë bëri një shkrim për Lapsi.al (shiko rubrikën IDE), ku e cilësonte Maqedoninë si Palestinën e Ballkanit. Deri më tani, në Kumanovë nuk kanë denjuar të shkojnë as dy liderët e partive shqiptare të Maqedonisë, Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi. Këta dy të fundit u takuan në Pogradec pak ditë më parë me Ramën dhe Metën.