rama2_1
Deputeti i PS-së Ben Blushi i rikthehet sulmeve të tij ndaj kryeministrit Rama. Kësaj here kritikat e Blushit kanë të bëjnë me ndeshjen Shqipëri-Serbi. Sipas deputetit “rebel” të socialistëve, Rama po mburret me humbjen e Kombëtares. Lexoni më poshtë cfarë shkruan Blushi te Panorama:

“Vetëm dy persona po bëjnë sikur fituan nga humbja e Shqipërisë. I pari është Ballist Morina. Ai humbi mundësinë për të parë ndeshjen, por konsolidoi famën e dikujt që po na ndihmon të shkojmë në Francë. I dyti shqiptar që po përpiqet të na bindë se edhe ai ka fituar, është Edi Rama. Këtë të dytin nuk e detyron askush që të japë shpjegime për kënaqësinë që ka marrë nga humbja. Megjithatë ai po e bën. Me patos, me këmbëngulje, me protokoll, me stil, i qeshur, i ngjeshur dhe i veshur. Enkas.

Ky kërkon patjetër të na thotë se ai nuk është pjesë e humbjes, se humbja ishte faji i atyre që nuk ishin në fushë, ndërsa sa i takon pjesës tjetër, dekorit, korit, rendit, vendit, policimit, mobilizimit, organizimit, ushqimit, parkimit, largimit, qetësisë dhe kënaqësisë së selfisë, këto të gjitha pra ishin meritë e tij.

Mburrja e padurueshme e Edi Ramës për të gjetur lavdi edhe në disfatë, është edhe më e papranueshme. Është acaruese. Është tregues i një provincializmit, të cilin nuk e kemi hak.

Edi Rama u tha shqiptarëve se në Elbasan askush nuk u rrah, nuk u hodh asnjë gur, asnjë shqiptar nuk guxoi të ngrinte zërin për të sharë një serb.

Pyetja është pse dyshonte Edi Rama se të gjitha këto do ndodhnin?

A thua na njeh kaq pak?

Cilin komb mendon ky se po përfaqëson?

A ka ngatërruar kombin apo ka ngatërruar punën?

Unë besoj se ka ngatërruar punën që i ka ngarkuar kombi. Me fjalimin e papërshtatshëm që mbajti, tregoi se beson se shqiptarët e kanë zgjedhur si një njeri, të cilin historia e ka caktuar për një mision: të përmbajë instinktet e kombit të vet të marrë. I ka rënë fatkeqësia të drejtojë një vend të marrësh, të cilët po mbahen në zap me vështirësi të mëdha që bota t’ia njohë si meritë. Ndërsa ne, si punë. Edi Rama foli si gjykatës i etikës sonë kombëtare.

Ai nuk u mburr për ne. Ai u mburr për vete. Ai u soll si zbutës kombesh. Nëse bota nuk e ka njohur si të tillë, ja ku është. I veshur, i qeshur dhe i ngjeshur, siç mund të ishte çdo zbutës pasi del nga cirku ku i duhet të punojë. Edi Rama nuk na ka ulur ne. Ai ka dashur të ngrejë veten. Nuk është pra një mision, është një zakon. Por gjeti ditën më të keqe për të na kujtuar diçka që ne e dimë”.