a0d74872065f2b670db5e1bdb6814ff4_L
Ben Blushi ka folur këtë radhe për çudinë e tij se pse edhe pas një çerek shekulli në krye të kishës ortodokse kryepeshkopi Janullatos nuk ia ka mbërritur të flasë shqip. Ai i është referuar meshës së pashkëve. ‘’Për fat të keq, gjithë kërshëria ime për të marrë një leksion të lartë leturgjik u shua që kur Anastasi filloi të fliste. Jo sepse ato që tha sërish nuk arritën të më bindin, por sepse ato që tha, i tha në një gjuhë që unë nuk e njoh: në greqisht.”, shkruan Blushi për gazetën ‘’Panorama’.

Një sërë pyetjesh i kanë lindur Blushit, në kohën që ndiqte meshën e Janullatosit. ‘’Pse Anastasi flet greqisht në një meshë shqiptare? Pse duhet t’I mësojë shqiptarët në greqisht? Pse greqishtja ka epërsi ndaj shqipes për të mirën dhe të keqen që predikon Kisha e krishterë? Sa shqiptarë kuptojnë greqisht dhe a duan ata të meshohen në një gjuhë që nuk e dinë dhe nuk kanë arsye ta mësojnë vetëm për një natë Pashke apo Krishtlindjesh? Pse Zoti, nëse ekziston nuk I thotë kryepeshkopit se duhet t’u flasë shqiptarëve në gjuhën e tyre, siç ndodh me gjithë ortodoksët e tjerë në Ballkan’’, shprehet Blushi.

Sipas tij kryepeshkopi ortodoks duke folur greqisht për shkak të kokëfortësisë që ka, për të refuzuar gjuhën që flet grigja e tij shqiptare.

‘’A mund të ketë ai më pak aftësi se gati 1 milion shqiptarë që kanë emigruar në Greqi dhe e kanë bërë greqishten gjuhën e tyr të punës, të shkollës, të shtëpisë dhe të jetës? Pse ata nuk refuzojnë të flasin greqisht në punët e tyre të përditshme? Çfarë ndryshimi ka Anastasi nga ata? Edhe ai është këtu për të shërbyer njëlloj si ata, madje në një kuptim shumë më të lartë e hyjnor dhe prandaj kokëfortësia e tij mund të lexohet si një kundërshtim për t’u përshtatur me ne, çka është e padrejtë në kuptimin fetas, pra barazitist të fjalës’’, analizon deputeti Ben Blushi për greqishten e kryepeshkop Janullatosit.