Ditën e sotme pritet të rinis udhëtimi i pasagjerëve në Rinas dhe avioni i parë që pritet të ngrihet është një avion pasagjerësh drejt Dubait.  Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri me dije se nga ky moment në aeroport do të nisin fluturimet esenciale. Fluturimet: humanitare, emergjente, shëndetësore, diplomatike, shtetërore e ushtarake, do të nisin që ditën e sotme. Ndërsa, gjatë ditës së nesërme do të nisin që nga orët e para të mëngjesit edhe fluturimet komerçiale.

“Në këto momente në Aeroportin e Rinasit do të nisin fluturimet esenciale, ato që futen në këtë kategori, fluturimet humantirare, emergjente, shëndetësore, diplomatike, shtetërore dhe ushtarake. Ju njoftoj se kemi arritur të ruajmë sasinë e vaksinave të konsiderueshme që do të vinte dje në Shqipëri dhe është bllokuar, do të vijë sot rreth orës 15:00 pasdite. Dua të informoj të gjithë qytetarët që na kanë shkruar që do jetë e pamundur këto momente që të kemi fluturime komerciale, por gjatë ditës është duke u punuar për të arritur në një zgjidhje të këtij problemi shumë të madh. Sipas planave tona do të arrihet ditën e nesërme. Nesër që nga orët e para të mengjesit dhe gjatë gjithë ditës do të kemi fluturime normale për të gjithë udhëtarët e fluturimeve komeraciale”, u shpreh Balluku.