Muaji tetor ka pasur kërkesa të vogla për vaksinim kundër koronavirus në Kosovë. Ky fakt është bërë i ditur nga Ministria e Shëndetësisë, ditë më parë përmes një njoftimi ku edhe bëri të ditur se plani pesë javor për vaksinim gjatë fundjavës, ka përfunduar, dhe se tani e tutje qendrat e vaksinimit punojnë vetëm gjatë ditëve të punës.

“Vaksinimi i një numri të konsiderueshëm të qytetarëve me dozën e parë dhe të dytë të vaksinës kundër COVID-19 dhe situata epidemiologjike më e qetë ka ndikuar që edhe kërkesat për vaksinim gjatë muajit tetor të jenë më të vogla. Ekipet e vaksinimit ia kanë dalë t’i përgjigjen çdo kërkese për vaksinim, gjatë pesë ditëve të punës, pa patur nevojë të punohet fundjavës”, thuhej në njoftimin e MSh-së.
Deri më tani janë administruar 1 milion e 566 mijë e 251 doza ta vaksinës kundër COVID-19. Sipas të dhënave nga MSh-ja, numri i qytetarëve të vaksinuar me dozën e parë është 841 mijë e 282, kurse me dozën e dytë janë vaksinuar 724 mijë e 969 qytetarë.

Kujtojmë se dje në Kosovë janë shënuar 13 raste të reja pozitive dhe ka qenë vetëm një rast i vdekjes.

Aktualisht në Kosovë janë 439 raste aktive me COVID-19.