Presidenti Joe Biden këtë të mërkurë ka emëruar gjeneralin Christopher Cavoli, i cili momentalisht mban detyrën e shefit të forcave të ushtrisë amerikane në Europë dhe Afrikë për të mbajtur postin e gjeneralit kryesor amerikan në Europë, si kreu i Komandës Amerikane në Kontinentin e Vjetër.

Mediat e huaja raportojnë se lajmi është bërë i ditur nga sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Nëse konfirmohet nga Senati, Cavoli do të marrë drejtimin e rreth 100 mijë ushtarëve amerikanë të vendosur në Europë, në një kohë kur prej më shumë se dy muajsh, Rusia vijon të mbajë trupat e saj në Ukrainë.

Një nga detyrat e gjeneralit Cavoli do të jetë edhe koordinimi i armatimeve dhe furnizimeve të tjera që do të marrë Ukraina, si edhe monitorimi i lëvizjeve ushtarake të Rusisë në Europë.

Ndërkohë kujtojmë se lomanda Amerikane në Europë është kujdesur që prej fillimit të luftës për sigurimin e funksionimit të të gjithë zinxhirit të dërgimit të armëve perëndimore në Ukrainë.

Armatimet dërgohen në vendet kufitare, si Polonia dhe Rumania, e më pas merren nga personeli ushtarak ukrainas e futen brenda vendit përmes kamionëve apo trenave.