25 marsi shënon zyrtarisht fillimin e fushatës politike për të gjitha partitë që do të garojnë në zgjedhjet parlamentare te 25 prillit. Duke mos humbur kohë, dy partitë kryesore në vend kanë zgjedhur kryeqytetin për të kryer mitingun e parë. Partia Socialiste pritet të hapë fushatën në orën 18:00 në sheshin Skënderbej, në një grumbullim që pritet të kryehet në zbatim të masave antiCovid. Megjithatë duket se edhe kundërshtarët demokratikë kanë zgjedhur një orë dhe vend të përafërt për të hapur po ashtu fushatën elektorale. Mësohet se PD do të organizojë nesër çeljen e fushatës në orën 17:00 pranë sheshit “Nënë Tereza”.

Partitë politike do të kenë afro një muaj kohë për të zhvilluar fushatën elektorale, ndërkohë që ende pritet një vendim i Komitetit Teknik të Ekspertëve për një lehtësim të masave për sa i takon grumbullimeve të njerëzve. Risi në këto zgjedhje parlamentare do të jetë mundësi që qytetarët kanë për të zgjedhur krahas partisë që duan edhe kandidatin nga kjo parti për t’i përfaqësuar. Megjithatë kjo mundësi sërish është e cunguar nëse mbajmë parasysh se kryetarët e partive kanë përpiluar një listë emrash me kandidatët që ata duan të zënë të parët ulëset e Kuvendit.