Sali Berisha ka folur për gazetarët jashtë sallës së parlamentit, pas fjalës së presidentit të Ukrainës, Volodomir Zelenskit. Ai tha se duhet të anulohen menjëherë vizat për qytetarët rus. Sipas tij, bregdeti shqiptar nuk mund të shërbejë për rikuperimin e rusëve që shkojnë e luftojnë në Ukrainë.

“Ishte absurd ftesa e Edi Ramës për turistët rus në Shqipëri. Imagjinoni ju, vrasës, përdhunues, kainër, që pasi kryejnë masakra të vijnë dhe të dynden në plazhet tona për tu rikuperuar dhe marrë veten. Kjo është një fyerje e rëndë për shqiptarët.

Dhe ju që e ndoqët fjalën e presidentit Zelenskyt, kjo ishte edhe një kërkesë e tij. Çfarë ishte ky gjest mes kësaj barbarie, një ftesë për rusët që po bëjnë luftën më të padrejtë në tërë historinë e tyre të gjatë. Ndaj dhe kërkoj me urgjencë që të anulohen vizat për çdo qytetar rus që kërkon të hyjë në Shqipëri”,  tha Sali Berisha në fjalën e tij.