Për herë të parë pas zgjedhjeve, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka mbledhur Kolegjin e Kryetarëve. Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal dhe te nisma ‘Open Balkan’. Kryetari i PD-së u shpreh se ‘Ballkani i Hapur’ është iniciuar nga Rusia dhe një gjë të tillë e ka firmosur edhe Sergei Lavrov.

Kryedemokrati shtoi se ‘Open Balkan’ është një nismë antishqiptare që ka si synim të izolojë Kosovën dhe ta ekspozojë atë si vendin konfliktual në Ballkan. Në vijim të fjalës së tij, Berisha tha se ‘Ballkani i Hapur’ kundërvihet totalisht procesit të Berlinit.

“Ballkani i Hapur është akti më i lartë i tradhtisë që i është bërë kombit shqiptar. Shqiptarët i detyrohen Albin Kurtit, që me qëndrimin e tij, mbrojtjen nga një projekt që vendos hegjemoninë e pastër serbe, nga një projekt i cili në vend që të sanksionojë bashkëpunimin midis kombeve të barabarta, sanksionon poshtërimin e Kosovës dhe rrethimin e saj armiqësor, nga Beogradi, Beogradi i vogël që është Tirana dhe të tjerë me qëllimin më antishqiptar për ta paraqitur Kosovën si sherri i Ballkanit. Sherri i Ballkanit është Beogradi. I gjithë rrjeti i Sorosit është ngritur në këmbë në Kosovë dhe Shqipëri për të mbështetur Ballkanin e Hapur. Çdo fermeri duhet t’i shkojmë në shtëpi dhe t’i themi se çfarë mënxyrë është për ta Ballkani i Hapur. Është projekt rus. Është thënë me dhjetëra herë, por këtë e firmosi Sergei Lavrov. Për këtë po punon Edi Rama. Pra ky është Ballkani i Hapur në rrafshin politik. Mund ta përgënjeshtrojë Lavrovin? Asnjë se përjashton dot. Por pse Rama e Vuçiç kërkojnë influencat ruse. Sepse vetëm në këtë mënyrë janë të lirë të bëjnë çfarë të duan me vendet e tyre. Në vend dhe Evropë nuk gjen dot President dhe Kryeministër të lidhur me krimin si këta të dy. U duhet kjo. E dinë se BE nuk i pranon dot me këto lidhje të tmerrshme krimi që kanë. Kjo është e vërteta e tyre.”, tha Berisha.