Kryeministri Edi Rama  nga foltorja e Kuvendit u ka bërë thirrje deputetëve të PD-së që të mos shkojnë pas Sali Berishës, të cilin e ka konsideruar si një të vdekur politikisht. Kaq ka mjaftuar që edhe ish-kryeministri t’i kthehet me të njëjtën monedhë. Berisha tha se kreun e qeverisë e ka kapur psikoza e vdekjes dhe nënvizoi se opozita jo vdekjen biologjike, por vdekjen politike do t’ja garantojë 100% Ramës.

“Mbatharaku ia mbathi. Është rasti më klasik i tanatofobizë, psikozës së vdekjes. Psikoza e vdekjes e kap njeriun kur ai ka kryer krime që tejkalojnë në dëmet e tyre edhe vrasjet. Psikoza e vdekjes e kap njeriun kur bashkëpunëtorët e tij ndodhen në biruca e çdo natë e thërrasin: Eja tek ne! Si Bllako e Lefteri! Psikoza e vdekjes e kap njeriun kur e di se është kapur në flagrancë duke vjedhur mandatet në këtë parlament dhe votën e shqiptarëve. Ai përfytyron natën me ankthe, masa të revoltuara njerëzish dhe do i rezervojnë fatin e tij shpirtëror të 30 viteve më parë. Psikoza e vdekjes e kap njeriun që vjedh dhe është i tmerruar nga trofetë që ka vjedhur.

Për të gjitha këto i them se je i pashpresë e pa shpëtim. E garantoj se opozita vdekjen politike do ia garantojë 100%. Të dalë të kërkojë ndjesë shqiptarëve pse e kanë nxjerrë përdhunisht për krahësh nga avioni vetëm pse nuk ka pranuar të zbatojë ligjin gjerman”