Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha në një komunikim për mediat komentoi Reformën Territoriale. Berisha u shpreh se janë të gatshëm të diskutojnë me deputetë të PD dhe partitë aleatë lidhur me këtë çështje.

“Në punën për reformën territoriale janë mbajtur parasysh ndryshimet e thella që ka pësuar vendi këto vite. Por janë marrë për bazë, dy projekte serioze të specialistëve shqiptarë dhe të huaj, të sponsorizuar nga qeveria e Zvicrës. Sot dëgjoj që një grup deputetësh të po kësaj partie, në mënyrë të pavarur, kanë dorëzuar një draft me 94 bashki. Unë mendoj se ky draft i dorëzuar dhe ky që është përgatitur dhe është më i thelluar në çdo aspekt, të ulemi bashkërisht dhe të arrihet në një draft të PD-së, që të përfaqësojë interesat më të mira të qytetarëve shqiptarë. 

Pra, nuk ka asnjë gjë, edhe një deputet i vetëm mund të mbështesë ligj, projekt apo reformë, kështu që ulja me ta në komisione dhe jashtë komisioneve, dhe gjetja e një ujdie për një projekt që ta mbështesin të gjithë deputetët e opozitës, duhet të diskutohet edhe me partitë aleate në parlament, duhet të diskutohet me Partinë e Lirisë, duhet të diskutohet me të gjitha partitë opozitare. Natyrisht, ne kurrë nuk bëhemi pjesë e një loje të qeverisë dhe as të pazareve me të. Ne e kemi publik projektin. Projekti shpreh interesat më të mira. Nuk besoj se Edi Rama është serioz në çështjen e reformës. Nuk ndodh. Gënjen. Pavarësisht nga kjo, ishte në detyrimin tonë që të paraqesim një projekt më të mirin.”, u shpreh Berisha.