Kreu i demokratëve, Sali Berisha i ka tërhequr vëmëndjen shefit të SPAK, Altin Dumanit gjatë kohës që ky po raportonte në parlament. Dumani nuk e lexoi të plotë pyetjen që i bëri Jorida Tabaku, por u mjaftua me një përgjithësim, por kjo nuk i ka pëlqyer Sali Berishës që është ngritur nga vendi dhe ka ngritur zërin me kritika.
“Lexohet pyetja dhe pastaj përgjigjja. Jo të lexohet një pyetje hajde pastaj, a kupton?” ka bërtitur Berisha dhe pas kësaj Altin Dumani ka ndryshuar mënyrën se si i është referuar pyetjeve të deputetëve të opozitës, duke i lexuar fjalë për fjalë.

Kjo është hera e parë që Berisha dhe Dumani përballen në publik. Kreu i opozitës deri më sot i është referuar me emrin “Altin Troplini” pasi e akuzon se ndihmoi në arratisjen e Elvis Doçit, një trafikant droge pjesë e klanit Troplini.
