Institucionet e Bashkimit Evropian (BE) kanë përcaktuar 14 miliardë e 162 milionë euro për buxhetin e përgjithshëm për periudhën e tretë të Instrumentit të Asistencës Para Anëtarësimit (IPA III) që mbulon vitet 2021-2027, i cili u dedikohet vendeve kandidate.

Sipas një deklarate nga Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian kanë rënë dakord mbi fondet IPA III që do të sigurohen në periudhën midis viteve 2021-2027 për vendet kandidate si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Turqia, Mali i Zi dhe Serbia, si dhe kandidatët potencialë Kosova dhe Bosnjë dhe Hercegovina.

Një total prej 14 miliardë e 162 milionë eurosh mbështetje financiare do t’u sigurohet këtyre vendeve nga buxheti i BE-së në periudhën shtatëvjeçare.

IPA III do të mbështesë këto vende në përmbushjen e kritereve për anëtarësim përmes reformave gjithëpërfshirëse.

Në shpërndarjen e fondeve do të ndiqet një qasje e fokusuar politikisht, në mënyrë strategjike dhe dinamike.

IPA III po ashtu do të ketë fokus mbi respektin ndaj sundimit të ligjit dhe vlerave themelore.

Instrumenti parasheh inkurajimin e forcimit të institucioneve demokratike, reformave në administratën publike, si dhe reformave në menaxhimin ekonomik dhe konkurrencë.

Fondet IPA III do të shpërndahen sipas përparësive tematike. Fondet nuk do të alokohen si ato të periudhës paraardhëse, bazuar sipas vendeve.

Vendet që përmbushin pritjet dhe arrijnë progres drejt përparësive do të shpërblehen në mënyrë fleksibile.

Pas kësaj faze, dakordimi midis institucioneve të BE-së duhet të miratohet zyrtarisht nga Këshilli Evropian dhe Parlamenti.