Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë e ka dënuar fuqishëm sulmin e dhunshëm ndaj patrullës së Policisë kufitare të Kosovë në komunën e Zubin Potokut.

Për zyrën në fjalë, Policia e Kosovës është ofruesi kryesor i sigurisë në vend dhe rrjedhimisht çdo përdorim i forcës kundër policëve të saj është i papranueshëm.

“U bëjmë thirrje të gjithëve të shmangin spekulimet e panevojshme që mund të shtojnë tensione të mëtejshme, duke theksuar se hetimi i rastit do të kryhet nga organet përkatëse ligjzbatuese”, thuhet në reagimin e tyre në Twitter.

Të premten e 15 prillit, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në konferencë të jashtëzakonshme për media ka bërë të ditur se Polica e Kosovës është sulmuar për tri herë radhazi në Veri të Kosovës.

Sulmi i fundit, ka thënë Sveçla, ka ndodhur mëngjesin e sotëm.

“Rreth orës 07:40 ka ndodhur një sulm ndaj policisë së Kosovës të cilët kanë qenë duke shkuar për ta bërë ndërrimin në pikat kufitare”.

“Ky sulm tashmë me granate dore dhe A47 si një akt terrorist është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por edhe të gjithë qytetarëve të Kosovës”, deklaroi Sveçla, që në konferencë ishte bashkë me Drejtorin e Policisë, Samedin Mehmeti.

Sveçla, bëri të ditur se sulmet janë duke u kryer në forma të ndryshme, mirëpo në të njëjtën zonë.

“Grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë”.

Ndryshe, katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani janë të banuara me shumicë serbe.