Bashkimi Europian del kundër votimit të planifikuar për ditën e sotme për emrin e ri të drejtuesit të AMA-s.

Në garë janë Alketa Dibra dhe Armela Krasniqi. Kjo e fundit është zgjedhja e PS-së për të drejtuar Autoritetin e Mediave Audiovizive. Krasniqi është ish-zëdhënëse e Partisë Socialiste në vitet e opozitës së Edi Ramës.

Bashkimi Europian reagoi para pak minutash, pak para fillimit të seancës parlamentare, duke bërë thirrje që votimi të shtyhej për legjislaturën tjetër, të ketë transparencë dhe konsensus për emrin.

“Ne kemi ndjekur nga afër procesin për zgjedhjen e kryetarit të ri dhe anëtarëve të bordit të AMA. Është e rëndësishme që të mos ketë dyshime mbi natyrën jopartiake, profesionale dhe pluraliste të punës së AMA-s. Vëmë re se votimi nga Parlamenti për emërimin e kryetarit është planifikuar për sot, në seancën e fundit të kësaj legjislature. Ne i ftojmë autoritetet të marrin në konsideratë të vazhdojnë me këtë emërim gjatë legjislaturës së ardhshme në shtator, së bashku me emërimin e anëtarëve të bordit të Autoritetit, si mënyra më e mirë për të arritur konsensusin dhe legjitimitetin e pranuar gjerësisht.” – thuhet në reagimin e BE-së.

Nxitimi për të votuar kryetarin e AMA-s nuk është i motivuar së koti.

Lexo më tej: Rama lë në duart e ish-zëdhënëses së PS kamxhikun e portaleve, AMA-n 

Sipas ligjit të ri që ka përgatitur mazhoranca, Autoriteti i Mediave Audiovizuale shndërrohet në një kamxhik të medias, në veçanti të asaj online. AMA-s i jepet e drejta ti vendosë gjoba të rënda portaleve dhe televizioneve, nëse gjykon se lajmet që botojnë kanë përmbajtje të gabuar. Madje gjobat e AMA-s, që do të rëndojnë në veçanti portalet, do të ekzekutohen para vendimit të gjykatës sipas ligjit të ri. Kjo pikë që është kundërshtuar ashpër nga gazetarët, por edhe nga Komisioni i Venecias.

E gjitha kjo përpjekje për të vënë në thundrën e qeverisë edhe ato pak media që i kanë bërë rezistencë asaj, nuk kaloi pa u vënë re nga Bashkimi Europian. Megjithatë, reagimi i unionit pritet të mos luajë asnjë rol në ndalimin e Ramës të shfrytëzojë këtë mundësi të artë, pa opozitë reale dhe vota me tepricë, për të vënë njëriun e tij si mbikqyrës absolut të mediave.