“Nga këndvështrimi im, ajo që ka ndodhur nuk është e krahasueshme me situatat në të cilat lojtarët që nuk mund të marrin pjesë në lojë hyjnë në fushë”. I ka vënë një vulë përfundimtare (edhe pse akoma jo zyrtarisht) ngjarjeve të pabesueshme të Freiburg, ku Bayern për 17 sekonda luajti me 12 lojtarë për shkak të një gabimi në tabelën elektronike, arbitri Felix Zwayer. Sipas tij bavarezët nuk do të sanksionohen me humbje në tavolinë dhe as nuk do të përsëritet ndeshja sepse ndikimi i asaj që ndodhi në lojë dhe në rezultat ishte në thelb zero.

“Lojtari që qëndroi shumë gjatë në fushë, në parim, kishte të drejtë të luante – shpjegoi bilbili gjerman për Aktuellen Sportstudio të ZDF – Ai ishte në fushë në një moment kur nuk duhej të ishte atje, por këto procedura janë vendosur sipas rregullave të futbollit, jo me statute të tjera. Pati një zëvendësim që nuk u zhvillua në mënyrë të rregullt, u sinjalizua një numër i gabuar në tabelën elektronike. Por pastaj është përgjegjësi e ekipit të arbitrimit që të bëhet zëvendësimi sipas rregullave. Detyra i caktohet normalisht arbitrit të katërt. Falë Zotit, lojtari nuk ndikoi në lojë dhe nuk mori pjesë, madje as e preku topin”.

RRËMUJA – Midis minutës së 84′ dhe 85′, me rezultatin 1-3, trajneri i Bayernit bëri një zëvendësim të dyfishtë: Sabitzer dhe Süle u futën në fushë, për Tolisso dhe Coman. Ky i fundit, megjithatë, nuk u largua nga fusha për shkak të një gabimi në tabelën elektronike, që sinjalizoi daljen e numrit 29, numri i vjetër i Coman që nuk e ka askush te Bayern, në vend të 11, numri aktual i tij.

Nuk ishte arbitri Christian Dingert ai që e vuri re atë që po ndodhte, por qendërmbrojtësi i vendasve Nico Schlotterbeck, i cili pas ndeshjes shpjegoi: “Vura re që Süle hyri në fushë por askush nuk doli, kështu që menjëherë numërova lojtarët e Bayern Munichut dhe më pas njoftova arbitrin. Mendoj se nëse nuk do ta raportoja, Dingert nuk do ta kishte vënë re kurrë situatën”.