Rrethi mbështetës i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, sa vjen dhe ngushtohet. Humbja e thellë në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit dhe deklaratat krenare, në të cilat pohon se nuk ka patur asnjë disfatë, duket se po e çojnë liderin e kësaj partie drejt një vetmie politike.
Deputeti i PD, Ervin Salianji, një prej mbështetësve të paktë të mbetur në radhët e atyre që besonin ende te një riformatim i partisë kryesore në radhët e së djathtës, shfaqet krejt i dorëzuar në qëndrimin e tij të fundit.
Salianji e sheh tashmë Bashën si një barrë të rëndë për opozitën.
“Sot nuk mund të mbyll sytë dhe as të fshihem, duhet ta lexojmë realitetin duke marrë çdo përgjegjësi, por përgjegjësia kryesore bie tek kryetari i partisë!
Lulzim Basha e ka humbur mbështetjen, fatkeqësisht si kryetar partie është barrë e rëndë për opozitën!”, shkruan Salianji në rrjetet sociale.
Një tjetër qëndrim të ngjashëm ndaj liderit të PD mbajti dje dhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, i cili kërkoi që të mblidhen me urgjencë organet e Partisë Demokratike dhe të nxirren përgjegjësitë që e çuan në atë që ai e konsideroi një katastrofë elektorale.

Deklarata e plotë e deputetit Ervin Salianji në rrjetin social Facebook

Rezultati i zgjedhjeve të 6 Marsit ishte katastrofik për Partinë Demokratike.
Kandidatët e PDSH në 6 bashki ishin demokratë dinjitozë, ata bashkë me demokratët bënë çdo përpjekje, por fryma popullore ishte mesazh i qartë për çdo demokrat. Opozita u dëmtua dhe mori më pak se gjysmën e votave që grumbulloi më 25 Prill, bojkoti i votuesve tregoi krizën e besimit tek opozita. Të gjithë kanë përgjegjësi për këtë situatatë, përgjegjësia kryesore është tek kryetari i partisë.
Personalisht kam bërë beteja të ashpra duke rriskuar gjithçka, kam luftuar fort për të ndihmuar që Partia Demokratike të vijë në pushtet.
Kam bërë beteja që Lulzim Basha të jetë kryetar i Partisë Demokratike sepse kam menduar që ishte rruga e duhur që PDSH të vijë në pushtet!
Sot nuk mund të mbyll sytë dhe as të fshihem, duhet ta lexojmë realitetin duke marrë çdo përgjegjësi, por përgjegjësia kryesore bie tek kryetari i partisë!
Lulzim Basha e ka humbur mbështetjen, fatkeqësisht si kryetar partie është barrë e rëndë për opozitën!
LB duhet të bëjë hap pas dhe të krijojë mundësinë që PD të zhvillojë zgjedhje!
Demokratët janë fitues, nuk pranojnë të quajnë fitore vendin e tretë! Partia Demokratike do të ribëhet, forca dhe energjia e demokratëve është e pashtershme!