Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha këtë të shtunë ka “zbritur” në bazë, ku po zhvillon një takim me të rinjtë e Tiranës në kuadër të zgjedhjeve që pritet të zhvillohen për FRPD.

Sipas kreut të PD-së, vendi ka nevojë për të ndryshuar elitat drejtuese, pasi sipas tij nuk politikanët nuk duhet të jenë të salduar në karrigen e pushtetit.

Duke cituar politikanin Churchill, Basha theksoi para të rinjve se koncepti i politikës është ndryshimi. Sipas tij, të ndryshosh, do të thotë të përmirësosh. Të ndryshosh shpesh, do të thotë ta bësh perfekt ndryshimin.

“Dhe një herë faleminderit të gjithëve që jeni mbledhur në një ditë kaq të bukur, e bëni edhe më të bukur, në këtë takim tuajin, në një kohë të dhimbshme për demokratët dhe të dhimbshme për të gjithë shqiptarët. Janë kohë të vështira që po kalojmë, janë bërë edhe më të vështira, pikërisht sepse një grusht njerëzish nuk duan t’i japin fund tranzicionit. Çfarë do të thotë tranzicion?

Tranzicion do të thotë të kalosh nga një e kaluar diktatoriale drejt demokracisë, drejt lirisë, drejt hapjes, drejt dinjitetit të çdo njeriu ashtu siç e ka bërë Zoti. Drejt lirisë që me të vërtetë e garanton ligji siç tha Rei, por në fakt është një e drejtë natyrore me të cilën lindim, është e drejta jonë, na e ka dhënë zoti s’na e merr dot askush. E garanton ligji në mënyrë që liria ime mos të dëmtojë lirinë tënde. Këto janë përgjegjësisë e politikës, e cila përmes institucioneve të cilat ka përgjegjësinë t’i administrojë përmes votës së qytetarëve, duke përfaqësuar qytetarët, i bën këto ligje të funksionojnë, ose ndal funksionimin e ligjeve dhe e kthen vendin në xhungël.

Dhe kështu kemi përfunduar në 30 vite, në një xhungël me disa kafshë më të barabarta se disa kafshë të tjera, për të përdorur Orwell, meqë jeni dhe studentë të gazetarisë. George Orwell, në
“Fermën e Kafshëve”, një libër i famshëm tashmë për rininë shqiptare, përshkruan se si kishte një hierarki dhe megjithëse thuhej se gjithë kafshët ishin të barabarta, dukej derrat ishin më të barabartë se kafshë e tjera, i kishte zgjedhur derrat si simbol të le të themi të babëzisë.

Pse bëhet e gjithë kjo betejë? Pse bëhet gjithë kjo luftë? Në mënyrë që të qarkullohen elitat, që karriget mos të jenë të përjetshme. Politika nuk njeh karrige të përjetshme, nuk njeh dinasti. Vet koncepti i politikës është ndryshimi. Të ndryshosh, do të thotë të përmirësosh. Të ndryshosh shpesh, do të thotë ta bësh perfekt ndryshimin”, tha Basha