Lulzim Basha i bëri thirrje të gjithë shqiptarëve në Mal të Zi që të dalin masivisht në zgjedhjet e 30 gushtit dhe të votojnë për listat shqiptare.

Basha thotë se shqiptarët në Malin e Zi kanë luajtur një rol kyç në arritjen e pavarësisë së Malit të Zi.

“Të dashur motra dhe vëllezër, nëpërmjet votës tuaj për partitë shqiptare, ju mund të siguroni mbrojtjen e të drejtave dhe interesave tuaja dhe të garantoni një të ardhme më të mirë për fëmijët tuaj.

Ne krenohemi me faktin që shqiptarët në Mal të Zi kanë luajtur rol kyç në arritjen e pavarësisë së Malit të Zi dhe në përmbushjen e aspiratës së anëtarësimit në NATO. Jam i bindur që faktori politik shqiptar do të vazhdojë që në mënyrë konstruktive të japë kontribut të çmuar në përshpejtimin e integrimit europian të Malit të Zi”, – shkruan mes të tjerash lideri i opozitës shqiptare.

Sipas Lulzim Bashës, forcimi i përfaqësimit të partive shqiptare në parlament, është një kontribut i shtuar për paqen dhe stabilitetin në vend, për garantimin e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi dhe për integrimin europian të vendit dhe mbarë rajonit.