Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një takimi në selinë e PD, iu shpjegoi përfaqësuesve të Shoqatës së Fasonëve, Programin Ekonomik të PD, Shqipëria fiton.

Basha tha se programi i propozuar nuk është një paketë premtimesh, por angazhime që merr qeveria e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit. Shefi i opozitës u shpreh se ky program nuk është program mrekullish, por program normalizimi dhe rimëkëmbje të ekonomisë dhe me të fiton Shqipëria.

“Pa pikë diskutimi sektori i fasonëve është një nga sektorët kyç të ekonomisë shqiptare, për arsyen që sapo thatë, numrin e madh të personave që punësoni. Në shumë raste këta janë edhe personat e vetëm që sjellin të ardhura në familjet e tyre. Po kështu zhvillimet e viteve të fundit, duke përfshirë edhe zhvillimet e pandemisë, nga njëra anë ju kanë dëmtuar, ju kanë goditur rëndë. Mbi 15 mijë veta kanë humbur vendin e punës vetëm në sektorin tuaj, ky është lajmi i keq. Lajmi i mirë është që si pasojë e zhvillimeve globale, tregjet kryesore ku ju çoni produktin tuaj po mendojnë të zhvendosin apo të fuqizojnë zinxhirin e furnizimit që do të thotë që në qoftë se Shqipëria njësoj si vendet e tjera të rajonit tonë janë gati kontratat tuaja mund të rriten, mund të shumëfishohen dhe aftësia juaj për të punësuar më shumë njerëz dhe për t’i paguar më mirë mund të rritet. Natyrisht për këtë ju duhet të keni në krah shtetin.

Ajo që kemi prezantuar nuk është program mrekullish, është program normalizimi dhe rimëkëmbje ekonomike. Ato nuk janë premtime, janë angazhime. Propozimet tona janë të qarta dhe janë të provuara që funksionojnë. Taksa e sheshtë 9% është një ulje jashtëzakonisht e madhe krahasuar me taksën 15% që ju paguani. Çmimi i naftës 240 lekë të vjetra për litër karburant i shtuar në këto 8 vite. Çdo litër naftë prej ditës së parë të qeverisë të dalë nga vota e 25 Prillit do të jetë 240 lekë më i lirë. Dhe kjo pa diskutim do të reflektohet edh në vlerën e koston e prodhimit tuaj dhe në aftësinë tuaj për të konkurruar me ofertën tuaj në tregun Europian dhe më gjerë.

Për biznesin prodhues e njëjta masë do të merret me energjinë elektrike. Dhe një pikë tjetër që dua të përmend para se të vazhdojmë diskutimit është rimbursimi i TVSH-së. Rimbursimi i TVSH-së me të gjithë sektorët e ekonomisë është kthyer në një ankth të paparë dhe padiskutim në një kohë krize detyra e qeverisë, detyra e parë e qeverisë është të mos ta vonojë rimbursimin e TVSH-së. Ky është një nga angazhimet kryesore që kemi marrë përpara sipërmarrjes në tërësi dhe para sipërmarrjes si e juaja në veçanti. Me dy fjalë, nuk janë premtime, por janë pjesë e një plani konkret. Janë angazhime me të cilat ne e nisim që në ditën e parë të punës, t’ju vijmë në ndihmuar ju njerëzve të punës që të ndihmoni të punësuarit tuaj që të punësoni të tjerë dhe të përmirësoni standardin e jetës së tyre, natyrisht duke bërë të mundur që të përcillni një pjesë të fitimeve që do të vijnë si rezultat i këtyre masave edhe në objektivat që kemi në raport me rritjen e mirëqenies dhe rritjen e pagave për punonjësit shqiptare”, – u shpreh Basha.