Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar ditën e sotme takime me qytetarë dhe biznese në njësinë 8, në Tiranë. Ai dëgjoi nga afër problematikat e qytetarëve , të cilët theksuan ndër të tjera rënien e konsumit, largimin e njerëzve, pamundësinë ekonomike dhe problemet e ish-pronarëve.

“Lulzim Basha: Si je? Me shëndet?

Qytetari: Po ju?

Lulzim Basha: Familja si ёshtё?

Qytetari: Mirё! Mirё.

Lulzim Basha: Mbahu fort, këto valixhet pёr fat tё keq kanё filluar tё simbolizojnë largimin apo jo?

Qytetari: Po, çfarë do tё bёjmё.

Lulzim Basha: Njerëzit vijnë i blejnë dhe largohen, apo jo?

Qytetari: Keq na vjen! Ashtu ёshtё! Shumë, shumë tё vështira!”

“Qytetari: Një fjalë i thonë kryetar që, po qau fëmija nuk i jep nëna me pi. Më shumë se po qajnë kalamajtë po qajmë ne. Diçka që e kemi vetë në dorë, shpresojmë të bëhet më e mira.”

“Qytetari: Na shpronësoi dy-tri herë! Përveç kësaj, megjithëse përcaktoi vizën e blertë, në asnjë moment nuk iu referua vijës së blertë, edhe vlerësimi i pronës që bëri është brenda vijës së blertë por si tokë fshati.”

Basha shtoi se po përballet me të njëjtat ankesa në çdo takim, dhe konsideroi ndryshimin e ardhur më 25 prill si zgjidhje të çdo problemi. Sipas tij e vetmja nevojë që kanë qytetarët shqiptarë sot është një qeveri që mendon për ta, pasi në 8 vitet e fundit ka qenë inekzistente.

Lulzim Basha: Kjo është një betejë që do ta përcaktojë rinia shqiptare, siç ka përcaktuar të gjitha ndryshimet e mëdha. Dhe kjo është betejë për ndryshim, nuk është thjesht betejë për zëvendësim, është betejë për ndryshim. Nga ky ndryshim do të varet rruga Europiane e Shqipërisë. Pra nga ky ndryshim do të varet që të rinjtë shqiptarë të kenë mundësi europiane për arsimim, që do të thotë universitete në Shqipëri me cilësi europiane, do të thotë edhe programe shkëmbimi ku më të mirët të kenë mundësi të shkojnë në universitete europiane të mësojnë aty, të krijojnë lidhje aty, të krijojnë mundësi për praktika pune. E vetmja gjë që keni nevojë për të hedhur këtë hap përfundimtar për të qenë si një europian është një qeveri që mendon për ju dhe j’ua bën më të lehtë, më të mundur arsimimin cilësor dhe punësimin. Dhe ky është misioni kryesor i qeverisë që do të dalë pas zgjedhjeve të 25 Prillit. Mesazhi kryesor që kam për ju dhe që dua ta shpërndajmë kudo është që asnjë i ri nuk do të mbetet mënjanë, asnjë i ri nuk do të shohë më largimin si shpresa e vetme se Shqipëria i ka mundësitë e jashtëzakonshme t’ju akomodojë, t’ju bëjë krenarë siç e bëni ju Shqipërinë krenare.