Lulzim Basha ka premtuar edhe një herë heqjen e taksës progresive që vendosi qeveria e Partisë Socialiste si një barrë e rëndë mbi shtresën e mesme. Në një status në Facebook, Basha tha se kjo taksë ka prodhuar veç kaos, pandershmëri dhe padrejtësi.

“Në këto 7 vite, qeveria Rama e ka taksuar punën dhe dijen më shumë se çdo qeveri tjetër më parë. Barra më e rëndë e këtyre taksave ka rënë mbi shtresën e mesme.

Sot të gjithë e shohim se taksa progresive e Ramës ka dështuar dhe ka prodhuar vetëm kaos, pandershmëri dhe padrejtësi. Ajo është kritikuar fort edhe nga organizatat ndërkombëtare si FMN.

Çdo ditë që kalon shqiptarët paguajnë më shumë taksa, ndërsa Rama i përdor ato për të bërë më shumë PPP me klientët e tij. Si pasojë e këtij keqmenaxhimi dhe kësaj arrogance, Shqipëria zhytet në varfëri, njerëzit humbin vendet e punës dhe kriza ekonomike thellohet” shkruan kreu i PD në rrjetet sociale.

Partia Demokratike ka premtuar rikthim të taksës së sheshtë, kësaj radhe në masën 9%, një premtim që Basha e ka përseritur sërish për ndjekësit e tij në Facebook.

“Ne besojmë se më shumë para në duart e qytetarëve do të nxisin investimin në arsimim dhe kualifikim dhe do ti japin frymë rritjes ekonomike. Politika jonë fiskale ka në bazë taksën e sheshtë 9% për qytetarët dhe të punësuarit, taksa më e thjeshtë dhe më e ulët në të gjitha vendet e rajonit.

Mirëqenia e shtresës së mesme, e atyre që punojnë dhe prodhojnë, është jetike për rimëkëmbjen e gjithë ekonomisë shqiptare. Vetëm një qeveri serioze që kujdeset për njerëzit do ta vendosë shtetin dhe politikbërjen në funksion të rritjes së të ardhurave të gjithësecilit dhe jo të një grushti njerëzish! Shqipëria e ka potencialin të ofrojë mirëqenie dhe siguri për të gjithë qytetarët e saj”