Alibeaj e Bardhi, thirrje demokratëve për bashkim

Një ditë pasi dha dorëheqjen nga kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u ngjit sërish në zyrën e tij, kësaj radhe si një deputet i thjeshtë, pa pushtetin e karriges, në të cilën u ngjit 8 vite më parë. Ashtu si një ditë më parë, sërish refuzoi t’i përgjigjet interesit të medias nëse do të garojë për kreun e Partisë Demokratike.

Kriza që Basha la pas kërkon zgjidhje dhe barra e përgjegjësisë ka rënë mbi kryetarin e komanduar, Enkelejd Alibeaj, një ndër besnikët e Bashës. Në ditën e parë të detyrës, Alibeaj u mundua të japë mesazhe bashkuese në radhët e deputetëve.

“Do të kemi kohë për të biseduar për të gjitha procedurat. E rëndësishme është buonsensi. Bashkimi është ndër demokratë. Bashkimi është ndër demokratë të sakrificës, të vuajtjes, të sakrificës që kanë bërë për 30 vite, që nuk kanë përfituar, që ndjejnë sot më shumë sesa kushdo peshën e madhe, pse jo të themi edhe të këtyre përplasjeve tona.”

Edhe Sekretari i Përgjithshëm, Gazmend Bardhi, i ftoi demokratët e rreshtuar në krah të Sali Berishës të dalin mbi interesat personale.

“Partia bashkohet ku secili prej nesh, edhe anëtarët e pezulluar të Grupit Parlamentar, kapërcejnë veten dhe mendojnë interesin e PD dhe interesin e demokratëve.

Kryetari i komanduar dhe Sekretari i Përgjithshëm i demokratëve, i kërkuan deputetëve të rreshtuar në Komisionin e Rithemelimit, që ashtu si Lulzim Basha, i njëjti mekanizëm për tërheqjen duhet të vijë edhe nga Sali Berisha, që sipas tyre nuk duhet të jetë pjesë e vendimmarrjes në Partinë Demokratike.

Vetëm pas arritjes së kësaj dakordësie, një pjesë deputetëve të Grupit Parlamentar shpreh gatishmërinë për nisjen e një procesi të brendshëm gare në parti, pas zgjedhjeve lokale të vitit 2023.