Kreu i PD-së Lulzim Basha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se provokoi qytetin e Elbasanit me miqtë kriminelë.

Në një përgjigje pas thirrjes së Ramës për t’u ndarë “nga Likja e Saliu”, Basha deklaroi nga Elbasani se koha e tij ka marrë fund dhe Rama e di këtë.

“Sapo kam mbaruar një takim me zonjat përfaqësuese të Elbasanit për ditën e madhe të ndryshimit, 25 prillin. Dua nga zemra t’iu uroj të gjitha zonjave, grave, nënave e motrave të Elbasanit Gëzuar Ditën e Verës, këtë dhuratë kaq të bukur që ju bëni shqiptarëve. Koha e Edi Ramës ka marrë fund dhe Rama e di këtë. Është për të ardhur keq që dhe javët e fundit të tij, siç ka bërë rëndom këto 8 vite ai provokoi qytetin e Elbasanit me miqtë e tij kriminelë. Koha kur qyteti dhe qytetarët ishin nën hyqmin e kriminelëve ka marrë fund. As nuk do të na trembë e as nuk do të ndalë dot, ne jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për të sjellë ndryshimin që shqiptarët mezi e presin. Kudo që do të shkosh Edi Rama do të marrësh të njëjtën përgjigje, do të shohësh fuqinë e njerëzve që nuk i tremb dot më. Hiq dorë nga shoqërimi me kriminelët, me të cilët ke ardhur dhe ke qeverisur. 25 prilli do jetë dita e fitores së shqiptarëve, dita e ndryshimit dhe shpresës siç është kjo Ditë e Verës. Pranvera po vjen, ndryshimi po vjen, Shqipëria dhe Elbasani do të fitojë“, deklaroi Basha.