Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, renditi shtyllat kryesore të programit të PD për rininë, ku më e rëndësishme, sipas tij, është punësimi.

Kryedemokrati premtoi se do iu paguajë praktikën me nga 30 mijë lekë, për një vit, 10 mijë studentëve më të mirë vend.

Ndërsa, duke u ndalur te punësimi, Basha theksoi se “Qeveria e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, do të krijoj 4 inkubatorë biznesi brenda 4 viteve, për të zhvilluar ide inovatore dhe për të promovuar sipërmarrjen e punësimin në vend. Skema financimi për çdo të ri nga zonat e largëta dhe të varfra të vendit që duan të nisin një sipërmarrje”.

“Ne do të zgjidhim çështjen e papunësisë: nuk mund të lejojmë që rinia jonë të rrijë në shtëpi, pa as edhe një shpresë për punësim. Kjo nis që me shkollat, ku ata do marrin më shumë mundësi arsimimi dhe mbaron me krijimin e më shumë vendeve të punës në ekonomi për ta.

Do të ulim emigrimin e rinisë. E thashë edhe më parë, do ta them përsëri: po humbim një brez të tërë. Ne nuk mund t’ia lejojmë vetes këtë.

Do të rrisim cilësinë e arsimit: në planin e arsimit që prezantuam fola për rëndësinë që ka arsimi. Ky është thelbi. Pasi t’u kemi dhënë më shumë mundësi të rinjve përmes sistemit arsimor, ata do të kenë më shumë besim dhe mundësi për të ardhmen e tyre këtu.

Inovacioni – nxitja e Inovacionit. Ne do ta vendosim INOVACIOININ në krye të listës së përparësive. Ne duhet t’u japim të rinjve të gjitha mundësitë që meritojnë për t’ia dalë në jetë.

Ja edhe disa nga pikat e planit se si Shqipëria do ta rifitojë rininë!

Angazhohem se të gjithë studentët shqiptarë, 9 në 10 prej tyre që vinë nga familje me të ardhura nën 64.000 lekë të reja në muaj do të përfitojnë mbështetje të plotë përmes financimit 100% të tarifave për bachelor dhe master. Pjesa tjetër, që vinë me të ardhura mbi 64.000 lekë të reja në muaj do të përfitojnë përgjysmimin e këtyre tarifave universitare. Ndërsa 5000 bursa të plota në vit do t’u ofrohen të gjithë të rinjve të cilët kanë pamundësi ekonomike për të ndjekur studimet e larta. Nuk do të ketë te rinj, nuk do të ketë bija dhe bij shqiptarësh që do të mbeten pa studiuar për shkak të pamundësive ekonomike të familjeve të tyre.

Angazhohem ndaj studentëve, se do të kenë praktika të paguara prej 30 000 Lekë në muaj për 12 muaj për 10.000 më të mirët prej tyre çdo vit.

Qeveria e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, do të krijoj 4 inkubatorë biznesi brenda 4 viteve, për të zhvilluar ide inovatore dhe për të promovuar sipërmarrjen e punësimin në vend. Skema financimi për çdo të ri nga zonat e largëta dhe të varfra të vendit që duan të nisin një sipërmarrje”, shkruan Basha.