Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar pas notës së protestës që Ambasada e Francës i ka dërguar minsitrisë së Jashtme të Shqipërisë në lidhje me deklaratat e Ramës për vaksinat. Duke e etiketuar kryeministrin Rama me emrin e “Tires”, Basha thotë se është e turpshme që kryeministri sulmon BE për dështimet e tij.

Në një status në Facebook, Basha shkruan se “i jemi mirënjohës BE-së për mbështetjen që i ka dhene Shqiperise”. Po ashtu kryedemokrati thotë se 25 prilli do të jetë ditë e ndarjes nga e keqja dhe e orientimit europian të Shqipërisë.

“E turpshme që Tirja i qeverisë sulmon BE dhe vendet anëtare për dështimet e tij. Nuk është faji i BE që Shqipëria është vendi më i korruptuar në Europë. Nuk është faji i BE që Tirja i qeverisë u ka dhënë qytetarëve ndihmën më të ulët nga çdo vend tjetër. Nuk është faji i BE që Tirja i qeverisë i braktisi shqiptarët në kohën e tërmetit, pandemisë dhe krizës ekonomike. Nuk është faji i BE që Rama është një dështim në çdo gjë. Sulmet ndaj BE dhe vendeve anëtare nuk e mbulojnë dot dështimin e tij. Ne i jemi përjetë mirënjohës BE për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë në momente të vështira për vendin. 25 prilli do të jetë ditë e ndarjes nga e keqja dhe e orientimit europian të Shqipërisë”, shkruan Basha.