Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë një takimi me strukturat e partisë në Kavajë përsëriti qëndrimin se zgjedhjet e 25 prillit nuk do të njihen.

Në fjalën e tij, Basha u shpreh se do t’i bindim aleatët për masakrën zgjedhore, ndërsa paralajmëroi një platformë për t’i rikthyer legjitimitetin dhe demokracinë vendin.

“Ne do t’i bindim aleatët tanë  për masakrën zgjedhore, për vjedhjen më të madhe industriale të votave në histori dhe do të përgatisim bashkë me ta shumë shpejt një platformë për t’i rikthyer legjitimitetin dhe demokracinë vendin”, tha Basha.

PJESË NGA FJALA E BASHËS

Ndaj dua t’ju shpreh mirënjohjen time më të thellë sepse nuk ka qenë thjesht një betejë e pabarabartë. Por ka qenë një masakër kapilare zgjedhore ku ditë për ditë dalin e zbulohen fakte, prova e dimensione të reja të kësaj masakre.

Jeta e gjithsecilit prej nesh, e gjithsecilit prej atyre që përfaqësonin këtu demokratët e Kavajës, e qytetarëve, bashkëqytetarëve tuaj shënohet nga momente të veçanta dhe unë besoj se ky është një nga ato momente të veçanta kur na duhet të marrim vendime të mëdha.

Padiskutim këto kanë qenë vite të vështira, nuk kanë qenë vite as privilegjesh e as përkëdhelje, as për mua dhe lidershipin tim, por as për ju dhe ju jeni vetë dëshmitarë e kësaj që po them sepse keni qenë bashkëshoqëruesit e bashkëluftëtarët e këtyre sakrificave.

Por ajo që kemi arritur së bashku nuk mund të hidhet përtokë, as të bëjmë sikur s’e shikojmë për interesa apo mërira të çastit. Ne kemi arritur bashkimin më të madh të zemrave për shkak të vlerave tona, për shkak të synimeve tona, për shkak të programit tonë. Ne kemi arritur frontin më të madh opozitar në 30 vjet pluralizëm dhe bashkimin më të madh shoqëror me  të gjithë grupet e interesit dhe të gjithë qytetarët që është edhe arsyeja sepse regjimi kreu masakrën më të madhe zgjedhore.

Ajo që ka ndodhur me 25 prill nuk është një proces tjetër zgjedhor me disa probleme. Me 25 prill ka rënë perdja e hekurt dhe është asgjësuar instrumenti i vetëm i ndryshimit që kishte mbetur që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ka rënë demokracia.

Demokraci do të thotë vullnet i shumicës dhe kur vullneti i shumicës tjetërsohet dhe pakica i mbivendoset me të gjithë mekanizmat, atëherë nuk kemi të bëjmë më me demokraci, atëherë kemi të bëjmë me një regjim. Sepse njësoj si në 91-shin , 25 prilli njësoj si me 31 mars kishte zgjedhje pa zgjidhje.

Pa zgjidhje sepse vullnetit të shumicës për ndryshim, për rotacion, aspiratës dhe shpresës së shumicës së shqiptarëve për të larguar regjimin e 8 viteve dhe për t’i hapur rrugë ndryshimit, iu mbivendos me dhunë dhe me mekanizmat e shtetit të krimit pakica.

Pra, beteja sot nuk është më një përballje midis dy kampeve politike dhe nuk është një përballje thjesht dhe vetëm për  të rritur e shtuar mbështetjen elektorale. Beteja sot është ekzistenciale, do të kemi apo s’do të kemi demokraci në këtë vend.

Detyra jonë është që në këtë betejë të organizojmë dhe të marrim me vete pikërisht atë shumicë të dhunuar të 25 prillit e cila sot pikëpyetjet e para 25 prillit i ka edhe më të mëdha. Atë shumicë që  votoi për ndryshim dhe që dhunshëm iu mohua përkohësisht ndryshimi, e cila sot jo vetëm nuk është e kënaqur, por është e shokuar, e tronditur, e zhgënjyer nga njëra anë, dhe nga na tjetër akoma më e dëshiruar për ndryshimin.

Kjo është gjendja që ju e njihni. Tani çështja është kush do ta bëjë këtë punë. Kush përveç nesh e ka forcën për ta bërë këtë punë? Kush përveç nesh e ka moralin për ta bërë këtë punë? Kush përveç nesh e ruajti besimin e shqiptarëve për ta çuar deri në fund misionin dhe kërkesat e vullnetin e tyre për ndryshim? Ndaj kemi një detyrim të dyfishtë jo vetëm përpara sakrificës së demokratëve të cilët ju pritë në këtë betejë, por mbi të gjithë para fateve të Shqipërisë, para fateve të shqiptarëve dhe familjeve tyre për ta çuar betejën deri në fund.

Dhe ne e kemi matur veten tonë këto 30 vite jo me sa herë na ka rrëzuar fati apo tekat e historisë, por me sa herë kemi ditur të ringrihemi dhe me çfarë fuqie kemi ditur të ringrihemi dhe si e kemi projektuar këtë fuqi tek individët, tek qytetarët për t’i marrë me vete në këtë betejë.

Pra, njësoj si në zemrat e shqiptarëve, zemëratës së ligjshme për padrejtësinë e 25 prillit, po i lë vend pikëpyetjet për hapat që do të hedhim, ne na lind detyra që pas zemëratës t’i japim përgjigje këtyre pikëpyetjeve.

Përgjigja e parë që keni marrë nga kryetari i Partisë Demokratike që në ditët e para që duhet të kumbojë fort nga Kavaja e kudo në Shqipëri edhe njëherë, është që ne as i njohim dhe as nuk do ta pranojmë kurrë masakrën zgjedhore të 25 prillit.

Ne do t’i bindim aleatët tanë  për masakrën zgjedhore, për vjedhjen më të madhe industriale të votave në histori dhe do të përgatisim bashkë me ta shumë shpejt një platformë për t’i rikthyer legjitimitetin dhe demokracinë vendin.

Ne jemi shpresa e vetme për demokraci dhe arsyeja se pse jemi të tillë është aleanca që kemi krijuar me njerëzit, ndaj duhet ta thellojmë këtë aleancë me shoqërinë, me të gjithë shtresat dhe me të gjithë njerëzit e ndershëm të këtij vendi që janë shumica absolute përballë një pakice të pakicës.