Seanca maratonë e buxhetit vazhdoi sot pa praninë e kryeministrit Edi Rama. Ndërkohë Lulzim Basha deklaroi se në sallën e Kuvendit janë të ulur kriminelë. Deklarata e Bashës erdhi pasi deputetja e PS, Klotilda Bushka tërhoqi vëmendjen për gjuhën e përdorur në Kuvend, duke treguar kodin e sjelljes së deputeti. Sakaq, kryedemokrati tha se nuk mund të bëjnë moral për sjelljen, kur në sallë sipas tij janë të ulur kriminelë.

“Pirgu i letrave që na keni vënë përpara, që kur kemi ardur. Ky është një bllok bosh, kodi i sjelljes së deputetit. Eshtë një harxhim kriminal i parave. Ia kam thënë ambasadorit të OSBE-së. do ia them edhe të riut. Sepse kjo nuk është gjë tjetër veçse një koperturë që ju doni të hidhni mbi një Kuvend që ka një problem që ka ekzistuar edhe para 2013, por ka marrë dimensione botërore pas 2013-ës. Në këtë Kuvend ka kriminelë, tani që po flasim ka kriminelë, që janë në kartelat e sistemit të inteligjencës së policisë së shtetit, në kartelat e Europolit, të FBI, DEA-s, kriminelë të ulur këtu. Ka edhe bedelë të organizatave kriminale, në kuptimin e Konventës së Palermos, të atyre që quhen grupe të strukturuara kriminale sipas Kodit Penal të Shqipërisë.

Këtu mbrapa ulet dikush që ka përdorur fyerjet më të rënda dhe gjuhën më të ulët që njeh fjalori në veçanti ndaj zonjave tash e tetë vjet pa i hyrë gjemb në këmbë. Nëse do kishte një proporcionitet, e para që s’mund të ikni ju dhe të na bëni morale për kodin e sjelljes të bëni vetingun në politikë. Pastroni sallën këtu” u shpreh Basha.