Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u ndal në turin e tij të takimeve me demokratët e Bulqizës, për të diskutuar për zgjedhjet e brendshme në parti.

Në fjalën e tij, Basha iu drejtua atyre që i quajti ‘me mendje dhe zemër të turbulluar’, me një ftesë “që të mos gjejë arsye apo të krijojë arsye për të rrëzuar atë që kemi ndërtuar së bashku deri më sot”.

“Ta vazhdojmë bashkë betejën krah njëri-tjetrit, me besimin e madh, mos të hedhim poshtë atë që kemi ndërtuar së bashku dhe kjo është ftesa ime ndaj çdokujt që e ka zemrën apo mendjen të turbulluar, është që të mos gjejë arsye apo të krijojë arsye për të rrëzuar atë që keni ndërtuar dhe kemi ndërtuar së bashku deri më sot, falë sakrificës së gjithësecilit prej jush.

Ndaj, të diskutojmë nga afër shqetësimet, mendimet, kritikat, rrugëdaljet, nga ana tjetër, le të jemi të qartë se kjo garë e ka dhe një disavantazh. E ka dhe një disavantazh dhe disavantazhi që e njohim fare mirë ne këtu, unë, ju, e njeh dhe kundërshtari ynë”, u shpreh Basha.

Sipas Bashës, disavantazhi është që në PD mund të ketë një përçarje të re.

Kryetari në detyrë i PD u shpreh se ai mund të dorëhiqej nëse kryeministri Rama do i kishte fituar zgjedhjet, por në optikën e tij, 25 prilli “është masakër zgjedhore”.

“Pas kësaj qëndrese të gjatë, ku kemi faktuar vendosmërinë tonë, dorëzimi përballë atyre që e konsiderojnë 25 prillin, fitore të Ramës dhe jo një masakër zgjedhore, mund të japë shkak një përçarjeje të re në gjirin tonë dhe këtë ne nuk mund ta lejojmë”.

Lulzim Basha zbuloi në fjalën e tij para demokratëve të Bulqizës një nga diskutimet në Këshillin Kombëtar të PD si dhe çfarë ka deklaruar ai për dorëheqjen nga partia pas zgjedhjeve të 25 prillit.

“Kjo është arsyeja se pse në Këshilli Kombëtar, siç e dinë anëtarët e Këshillit Kombëtar ishin këtu, para se të niste ky proces, i bëra një thirrje: “Ndani mendjen, është masakër zgjedhore apo është fitore e Edi Ramës, se në qoftë se nuk është masakër zgjedhore, por është fitore e Edi Ramës, kjo punë nuk bëhet kështu.” Atëherë, unë e jap dorëheqjen këtu, në këtë moment.

Por në qoftë se jemi të gjithë, siç jemi dëshmitarë se kjo është masakër zgjedhore e nje regjimi, atëherë ejani të vazhdojmë betejën deri në fund drejt një stacioni final që është rëzimi regjimit që është fitorja e demokracisë dhe e Partisë Demokratike.

Por kjo zemëratë duhet të jetë dhe burim i forcës tonë. Mund të themi se pavarësisht të gjithë asaj që ka ndodhur, shkrirjes së shtetit me partinë, siç e thotë edhe raporti paraprak i OSBE-ODIHR, roli i krimit të organizuar, që dyfishoi numrin e kriminelëve në parlament, ku u hoq një Tom erdhën tre Toma, u hoq një Aqif, erdhën dy Aqifa e kështu me radhë. Ku mbetën tre të pandehurit e dosjes 339, të cilët mbajnë peng negociatat e antarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, e kështu me radhë”, tha Basha.