Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar ditën e sotme takim online me përfaqësues të instituteve të formimit dhe trajtimit profesional në Gjermani. Në këtë takim virtual, Basha theksoi se trajnimi dhe kualifikimi i të rinjve shqiptarë është i rëndësishëm për tregun europian.

Basha ka shprehur synimet e tij për të nxitur e adoptuar modelin gjerman të trajnimit dual, reformën në arsimin universitar, frenimin e emigrimit masiv të të rinjve apo thithjen e investimeve të huaja. Kryedemokrati tha se qeveria e ardhshme do të vendos një stazh 12 mujor të paguar nga shteti për 10 mijë student të diplomuar, për t’u mundësuar lidhjen me tregun e punës, si dhe do investoj në ngritjen e 4 inkubatorëve që do të jenë mbështetje për të rinjtë të cilët duan t’i futen rrugës së sipërmarrjes.

“Ne po vendosim ose do të vendosim një stazh të paguar me paratë publike për 12 muaj, për 10 mijë studentët më të mirë nga 35 deri në 40 mijë të diplomuar rishtaz të sektorit publik çdo vit, që të ndërtojmë një urë nga universiteti drejt tregut të punës. Por po kështu, duam të investojmë në ngritjen e 4 inkubatorëve të cilët përmes granteve dhe infrastrukturës, t’i japim mundësi të rinjve me shpirt sipërmarrës dhe të rinjve me ide për inovacionin dhe për sipërmarrjen që të kenë një dorë që t’i ndihmojë dhe jo pengesa pas pengesash në rrugën e tyre për të themeluar një biznes të vetin.” tha Basha.

Përfaqësuesit gjermanë Lutter dhe Wittberg kanë vlerësuar idetë e Bashës, duke e garantuar se gjatë qeverisjes së PD në Shqipëri të ketë një sistem ekselent, të suksesshëm të këtij formimi profesional.